HQBUILD SpA prezanton në Panairin e Tiranës ekspertizën italiane në ndërtimin e gjelbër dhe restaurimin e ndërtesave

Nga Marjo Brakaj
6 Nëntor 2026, 21:03 | Aktualitet

HQBUILD SpA prezanton në Panairin e Tiranës ekspertizën italiane

Teknologjitë e qëndrueshme, siguria sizmike dhe restaurimi i trashëgimisë arkitekturore ishin në fokus të prezantimit të kompanisë italiane HQbuild SpA në edicionin e 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group. Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një mundësi për ndërlidhjen me sipërmarrje të tjera, shkëmbimin e eksperiencave dhe eksplorimin e mundësive të reja të bashkëpunimit në tregun shqiptar dhe atë rajonal.

Me një përvojë të konsoliduar në sektorin e ndërtimit në Italinë Qendrore, HQbuild SpA operon në fushën e ndërtimit të gjelbër, duke ndërthurur inovacionin teknologjik me ruajtjen dhe rijetëzimin e trashëgimisë ekzistuese ndërtimore. Aktiviteti i kompanisë përfshin restaurimin konservues të ndërtesave historike dhe afreskeve, ndërhyrjet për përforcimin sizmik, si dhe projektimin dhe rikonstruksionin e godinave të banimit me sisteme të izolimit sizmik.

Përfaqësuesit e kompanisë, Elisa Michetti dhe Vincenzo Bruno, prezantuan në panair eksperiencën dhe zgjidhjet që HQbuild ofron në projekte të sektorëve civilë, tregtarë, kulturorë, shëndetësorë, sportivë dhe fetarë. Takimet me përfaqësues të bizneseve dhe aktorë të ndryshëm të tregut krijuan hapësira për njohjen me nevojat e sektorit, prezantimin e kapaciteteve teknike dhe identifikimin e fushave ku mund të zhvillohen partneritete të reja.

“Ndërtimi i së ardhmes nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia për të ruajtur atë që kemi trashëguar. Përmes teknologjive të reja dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, synojmë të ndërthurim sigurinë e ndërtesave, eficiencën energjetike dhe respektin për identitetin arkitekturor të çdo strukture”, u shpreh Elisa Michetti.

Një nga avantazhet konkurruese të HQbuild është ofrimi i shërbimeve të integruara “turnkey”, duke mbuluar fazat e ndryshme të realizimit të projekteve, nga projektimi deri në përfundimin e punimeve. Kompania përdor materiale inovative, zgjidhje për ripërdorimin e materialeve të gërmimit dhe sisteme për trajtimin e ujit, me synimin për të reduktuar ndikimin mjedisor dhe për të rritur jetëgjatësinë e ndërtimeve.

Për kompaninë italiane, pjesëmarrja në panair përfaqësoi edhe një mundësi për të zgjeruar rrjetin e kontakteve profesionale, për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë me biznese shqiptare dhe të huaja dhe për të shqyrtuar potencialin e tregut në funksion të projekteve të ardhshme.

“Pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës është një mundësi për të prezantuar kapacitetet tona, por edhe për të takuar partnerë potencialë dhe për të shkëmbyer ide e përvoja me kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm. Besojmë se këto kontakte mund të shërbejnë si pikënisje për bashkëpunime konkrete, veçanërisht në fushën e restaurimit, sigurisë sizmike dhe ndërtimit të qëndrueshëm”, theksoi Vincenzo Bruno.

Kompania disponon staf të specializuar dhe certifikim SOA në tri kategori, që përfshijnë ndërtimet e reja, restaurimin e ndërtesave të mbrojtura dhe sistemet teknike, duke i mundësuar angazhimin në projekte publike dhe private, si në mënyrë të pavarur, ashtu edhe në partneritet me kompani të tjera.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës vijon të konfirmojë rolin e tij si një platformë për promovimin e sipërmarrjeve, krijimin e lidhjeve tregtare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Për kompani si HQbuild SpA, ky aktivitet përbën një mundësi për të prezantuar ekspertizën, për të krijuar kontakte të reja dhe për të identifikuar hapësira konkrete zgjerimi në tregje të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos