Derbi i parë i Madoninas për këtë sezon ka ardhur. Mbrëmjen e kësaj të diele, Interi do të presë Milanin, në duelin e javës së pestë të Serie A.
Edhe pse është ende shpejt të flitet për ndeshje vendimtare për objektivat e skuadrave, Interi, që niset favorit ka shansin të shkruajë historinë. Me një sukses, zikaltërit do të regjistronin fitoren e shtatë me radhë në derbi.
“Kemi ende shumë për të treguar. Sezoni sapo ka nisur, nuk duhet të mendojmë për derbit e mëparshëm. Ato nuk sjellin pikë apo gola. Duhet të tregojmë vendosmëri në fushë, pasi ndeshje të tilla i tejkalojnë parashikimet dhe çdo detaj është i rëndësishëm. E kemi të qartë çfarë sfide na pret. Derbi është tejet i rëndësishëm për ne, për klubin dhe për tifozët. Duhet një Inter special, sepse pas ndeshjes me Mançester Sitin në Champions kemi shpenzuar shumë energji. Por ndonjëherë në sfida të tilla derbi gjen energji të cilat as nuk mendoje se i kishe”, tha trajneri i Interit, Simone Inzaghi.
Edhe pse sezoni sapo ka nisur, kjo duket një sfidë përjetë a vdekje për Milanin dhe trajnerin Fonseca, i cili është vënë menjëherë në pikëpyetje. Me një humbje, do të thellohej kriza e kuqezinjve, të cilët do të binin shumë poshtë në renditje.
“Jemi tejet të mërzitur, por jemi të bashkuar për të dalë nga kjo situatë. Nuk mendoj për të ardhmen time. Përqendrohem te gjërat që mund të kontrolloj. Skuadra dhe ndeshja janë më të rëndësishme për momentin. E kam ndjerë gjithmonë mbështetjen e klubit në punën time. Përballemi me një skuadër tejet të fort, por kemi strategjinë tonë. Nuk duhet t’ia dorëzojmë topin kundërshtarëve. Synojmë ta dominojmë ndeshjen dhe të luajmë mirë si skuadër”, tha tekniku i Milanit, Paulo Fonseca.
Me stadiumin “San Siro” të mbushur, Interi pritet të përfitojë shifrën rekord prej afro 7 milionë eurosh nga biletat. Derbi do të nisë prej orës 20:45. (A2 Televizion)