Pas akuzave nga tifozët, Federata e Futbollit shpjegon sistemin e ri të shitjes së biletave

Nga A2 CNN
18 Mars 2025, 15:27 | Futboll

Pas akuzave nga tifozët, Federata e Futbollit shpjegon sistemin e ri

Pas akuzës së Tifozave Kuq e Zi, se për herë të parë në 21 vjet janë lënë pa bileta, reagoi edhe Federata e Futbollit.

Në një njoftim për media, institucioni që drejton këtë sport sqaroi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares. Sipas FSHF, ky është një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë, ku secili ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.

“Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent. FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares”, tha Federata Shqiptare e Futbollit.

Në fund, federata sqaroi se mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes me ekipin Kombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos