Në letër janë koka e serisë në grupin K kualifikues drejt Botërorit 2026. Në fushë janë konfirmuar si një prej skuadrave më të mira në kontinent dhe në glob. Ndërsa për sa i takon financave, janë përfaqësuesja më e kushtueshme në botë.
Vlera e Anglisë në merkato përllogaritet në mbi 1,3 miliardë euro. Ndërkohë, sipas faqes së specializuar “transfermarket”, vlera e Shqipërisë është vetëm 100 milionë euro.
Lojtari më i kushtueshëm i anglezëve është Jude Bellingam. Ylli i Real Madrid kushton 180 milionë euro. Ashtu si mesfushori, më të vlefshëm se e gjithë kombëtarja kuqezi janë edhe lojtarë si Phil Foden, Cole Palmer i cili është i dëmtuar dhe nuk do të luajë, si edhe Declan Rice. Kapiteni i ekipit Harri Kane, i cili po shkëlqen te Bajerni i Mynihut, kushton 90 milionë euro.
Te Shqipëria futbollisti më i vlefshëm është Kristjan Asllani, me 18 milionë euro. Mesfushori i Interit ndiqet nga Broja me 15 milionë euro, Muçi 12, Gjimshiti 8 dhe Ismajli 6 milionë.
Diferenca në letër është tejet e madhe, megjithatë futbolli nuk është vetëm shifra. E bukura e këtij sporti është mbi të gjitha elementi surprizë, fakti që përballë emrave në fanellë apo vlerës në treg shpesh herë në fushë prevalon zemra, loja e grupit dhe dëshira për të marrë rezultat. Më 21 mars në Wembley, Davidi përballet me Goliathin dhe të gjithë besojnë te surpriza e madhe. (A2 Televizion)
Krahasimi i skuadrave, Anglia vlen 1,3 miliardë euro, Shqipëria vetëm 100 milionë
