Spanja shokon Francën dhe siguron finalen e Botërorit

Nga A2 CNN
14 Korrik 2026, 22:59 | Futboll

Spanja shokon Francën dhe siguron finalen e Botërorit

Spanja është finalistja e parë e Botërorit 2026, pas triumfit 2-0 në përballjen e sotme ndaj Francës në gjysmëfinale.

Ndonëse “gjelat” konsideroheshin nga shumëkush si favoritë për të prerë biletën e finales, skuadra iberike e dominoi sfidën duke i bërë yjet francezë të dukeshin të vegjël në fushë. 

“Furia e Kuqe” kaloi në avantazh në minutën e 22-të me Mikel Oyarzabal, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Iberikët goditën në pjesën e dytë, me Pedro Porron që vulosi fitoren në minutën e 58-të.

Me një mjeshtëri në mbrojtje ekipi i De la Fuente ngushtoi korridoret e pasimeve për kundërshtarët si dhe ngadalësoi sulmet e Francës që pati pak raste për gol.

Me këtë sukses, Spanja siguron një vend në finalen e madhe të Botërorit, ndërsa Franca largohet mes zhgënjimit, pavarësisht statusit të pretendentes për trofeun.

Finalistja e dytë do të përcaktohet në gjysmëfinalen e së mërkurës, ku Anglia do të përballet me Argjentinën. Finalja e të dielës do të jetë e dyta në histori për Spanjën, që me fitoren e sotme i dha një leksion botës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos