“5 ndërrimet gjëja më e mirë që ka bërë FIFA”, Ruci tregon si e ka ndryshuar Botërorin rregullorja

Nga A2 CNN
13 Korrik 2026, 23:44 | Futboll

Legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, duke analizuar Botërorin në “Mega Sport” nga Altin Sulçe në A2CNN, theksoi se rregullorja me 5 ndërrime është gjëja më e mirë që ka bërë FIFA.

Ruci vë në dukje se rregullorja ka bërë që të shohim futboll me ritëm dhe me rezultate, ku shumica e golave janë shënuar pas minutës së 80’. Ai solli në vëmendje shembullin e Spanjës, që sipas tij ndeshjet ia ka fituar vetëm nga ndërrimet e lojtarëve.

 “Rregullorja me 5 ndërrime e ka bërë e ka bërë këtë futboll që të fillojë nga minuta e parë deri në minutën e 90 që të ketë ritëm dhe të ketë rezultate. Po të shikosh shumë gola janë shënuar pas minutës së 80’. Me 5 ndërrime është shumë e vështirë që një trajner mos bëjë gabime në ndërrime. Brenda në bankinë s’ka më mundësi ta udhëheqë një trajner, patjetër që duhet të jetë një staf në konsultë", u shpreh Ruci. 

"Unë di të them vetëm një gjë, Spanja ndeshjet i ka fituar nga ndërrimet, kjo do të thotë që ka vlera trajneri dhe stafi. Spanja e kaluar nga kjo Spanjë ka diferencë të madhe. Mungesa e Pedrit, mungesa e Williams-it, loja e dobët e Yamal-it, që s’vjen vetëm nga Yamal, por edhe nga mbrojtësi i djathtë, pasi në momentin që bën sulm Yamal, mbrojtësi i djathtë duhet të krijojë superioritet te kundërshtari. Konkluzioni është ky: Gjëja më e mirë që ka bërë FIFA është që ka bërë 5 ndërrime. Ndryshohet gjysma e ekipit, u bie futbollistëve rasti që të ndërrohen shume”, tha ai. 

I pyetur a je dakord me arbitrimin, Ruci tha: “Janë goxha ndeshje dhe gabime do ketë. E rëndësishme është që mos ndikojnë në rezultat. Do vijë dita shumë shpejt që arbitrimi do bëhet me inteligjencë artificiale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos