
Të martën, Samiti i Sofjes do të mbledhë krerët e rajonit dhe drejtuesit e vendeve kryesore të BE-së për të mbështetur rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, samiti do të zhvillohet online dhe do të drejtohet nga Bullgaria e Maqedonia.
Treshja që do të hapë zyrtarisht samitin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit është kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu (gjatë 2 viteve të fundit RCC është një prej institucioneve më të rëndësishme në rajon) dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Në seancën plenare që nis në orën 11:25 dhe ku diskutohet Tregu i Përbashkët Rajonal do të flasin të gjithë krerët e delegacioneve, pjesë e procesit të Berlinit. Kryeministri Edi Rama mësohet se do të mbajë fjalën e tij pas Presidentit francez Emanuel Macron dhe Presidenti të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Vendimi më i rëndësishëm i këtij samiti është krijimi i Tregut të Përbashkët rajonal. (A2 Televizion)