
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin që KQZ mori për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj ku e lejoi të vijojë të ushtrojë detyrën. Përmes një deklarate të bërë deputeti i zgjedhur Belind Këlliçi nënvizon se vendimi që Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve mori për Qerim Ismailajn është shkelje e ligjit të dekriminalizmit.
“Vendimi i sotëm i komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të amnistuar uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit me 3 vite burg në Greqi, është në shkelje të ligjit dhe në kundërshti me tre precedentë për të cilët KQZ ka vendosur ndërprerjen e mandatit.
Në rastet e Dashamir Tahirit, e Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicës, që kanë rezultuar të dënuar apo hetuar jashtë vendit dhe që nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe kanë pretenduar se nuk kanë patur djeni për këto fakte, KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve. Pra të kundërtën e asaj që Ilirjan Celibashi zgjodhi të bëjë sot.
Qerim Ismailaj është subjekt ndalimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai përfshihet në shkronjën “ç” të pikës 1, të nenit 2 të ligjit, për shkak se ka kryer një krim dhe është dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim. Për këtë rast ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, deri në momentin e rehabilitimit. Qerim Ismailaj jo vetëm nuk e ka përfunduar dënimin, por e ka fshehur atë dhe vendimi nuk është ekzekutuar sipas ligjit.
Vendim i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm të Republikës tonë, atë të Dekriminalizimit”. (A2 Televizion)