
Përfundon seanca për çështjen e vrasjes së Marvi Mihalit, të riut që humbi jetën dy vjet më parë në një sherr për një karikues telefoni. Gjykata ka shtyrë shpalljen e vendimit mbi të akuzuarit për datën 11 prill.
Në konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, Eugen Bitraj, Marsel Alla dhe Kridens Alla i kërkuan gjykatës t'i shpallë të pafajshëm. i pandehuri Dejvi Bitraj, përmes avokatit pranoi vrasjen, por kërkoi ndryshimin e kualifikimit nga "vrasje me paramendim" në "vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme" dhe dënim sipas ligjit.
Seancat e këtij gjyqi shpesh janë shoqëruar nga tensione në sallë mes familjarëve të viktimës dhe të të pandehurve. Babai i Dejvi Bitrajt madje i ka akuzuar se kanë kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për vdekjen e djalit të tyre, akuza që janë hedhur poshtë nga prindërit e Marvi Mihalit. (A2 Televizion)