
Pedagogia e komunikimit, Edlira Gjoni, u shpreh në “Absolut 4” se Partia Socialiste pati një strategji të mirëfilltë elektorale në këto zgjedhje.
“PS-ja bëri shah mat, me një strategji të mirëfilltë elektorale në këto zgjedhje. E ka përdorur administratën po aq sa Partia Demokratike kur ishte në pushtet, ka bërë shantazhe për pushime nga puna po aq sa Partia Demokratike, por ka bërë më shumë duke i “sajdisur” votuesit e vet. PS ka marrë po aq vota sa në vitin 2017. PD-ja ka marrë 200 000 vota më shumë sesa në vitin 2017 dhe të thotë që nuk njeh këto zgjedhje do të thotë të bjerë në kundërshtim me veten”, deklaroi Gjoni.
Më tej, Gjoni shtoi se “diskutimet që janë bërë sot brenda PD-së janë kontradiktore me njëra-tjetrën”.
“Nëse nuk njeh zgjedhjet, do të thotë që nuk futesh në Parlament. Nuk mund të thuash “nuk i njoh”, por do të ndjek rrugët ligjore”, theksoi Gjoni. (A2 Televizion)