Zgjedhjet në Shqipëri, Gacek: Vëmendje e madhe ndaj çdo ankimi apo rinumërimi votash

Nga A2 CNN
30 Prill 2021, 09:51 | Politikë
Zgjedhjet në Shqipëri, Gacek: Vëmendje e madhe ndaj çdo

Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, ambasadorja Urszula Gacek e quan shqetësues keqpërdorimin e burimeve të administratës për zgjedhjet e qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit. Sipas saj, ky është një shqetësim më i madh se shitblerja e votës. Në një intervistë për Deutche Welle, ajo tha se inspektimet gjatë fushatës me maskat me logo partie nuk janë të lejueshme, dhe misioni po i analizon.

“Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë, kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh., kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka pasur vizita inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por, kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid, nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua "Më votoni!”, atëherë kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t'i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t'i shikojmë në detaje”.

Lidhur me shit blerjen e votës, Gacek shprehet se çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Sipas saj, kjo ka të bëjë me edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.

“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shitblerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shitblerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shitblerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shitblerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shitblerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë te sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shitblerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandimi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra se si e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale”.

Ajo thotë se misioni po ndjek numërimin e votave për të parë, nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë një reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit, si edhe çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos