
681 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Itali, raportuan autoritetet atje. Shifra e çon numrin total të të vdekurve mbi 15000. Numri i rasteve të konfirmuar me koronavirus ka shkuar në 88274 vetë, 2886 në 24 orët e fundit.
Shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, në daljen e tij të përditshme tha se në të gjithë vendin janë thuajse 4000 personat e shtruar në terapi intensive, një shifër sipas tij pozitive, pasi numri ka rënë me 74 nga një ditë më parë.
Pavarësisht përmirësimit të shifrave, autoritetet kanë nxjerrë këshilla të reja për sjelljen në publik, duke u kërkuar italianëve që të mbulojnë fytyrën kur dalin, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit nëse janë bartës.
“Të dhënat janë të mira, por nuk do të thotë që e kemi hedhur pas shpatullave këtë histori”, tha Giulio Gallera, shefi i Shëndetit Publik për krahinën e Lombardisë. Idenë e tij e mbështet edhe Komisari i Posaçëm i për Emergjencën e Koronavirusit në Itali, Domenico Arcuri, sipas të cilit, ka sinjale se po fillon të vihet nën kontroll pandemia, por nuk është momenti për të menduar rikthimin në normalitet.
Shkencëtarë, virologë e mjekë përcjellin gjithashtu një zëri mesazhin për të mos e ulur vigjilencën ndërsa pandemia vazhdon të shkaktojë një numër të lartë viktimash dhe të prekurish. Autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve t’i rezistojnë ditëve me diell, ndërsa raportohet për shtim të lëvizjeve nëpër rrugë. (A2 Televizion)