
Në një ndryshim jo të vogël nga këshillat e dhëna në ditët e mëparshme, tashmë edhe Shtëpia e Bardhë i bashkohet Organizatës shëndetësore të Mjekësisë e cila ka filluar të këshillojë përdorimin e maskave në rrugë, si mjet parandalues për përhapjen e koronavirusit.
Kjo vjen nga studimet e fundit që tregojnë një qëndrueshmëri më të gjatë të virusit në ajër nga ajo që mendohej. Por për presidentin amerikan Donald Trump, pas javësh minimizimi të vlefshmërisë së maskave, kthimi mbrapsht është më i vështirë.
Dje në konferencën për shtyp ai e cilësoi drejtimin e ri të OBSH-së si një "këshillë, asgjë më shumë", madje i pyetur për veten tha se “nuk e sheh për momentin duke vënë një maskë”.
Në fakt, debati midis tij dhe stafit mjekësor që e këshillon thuhet se ka qenë i fortë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ndryshimi i shpeshtë i udhëzimeve mund të krijojë alarm shoqëror, por edhe një mosbindje të rregullave të karantinës.
Një ditë më parë profesor Anthony Fauci që drejton përgjigjen amerikane ndaj koronavirusit, i pyetur nga CNN për ndryshimin e udhëzimeve për maskat, kishte thënë që “tani që dimë që personat asimptomatikë e transmetojnë virusin, është e qartë që veshja e maskave nuk mund të jetë ide e keqe”.
Fauci, për herë të parë nuk ndodhej në konferencën për shtyp të presidentit. (A2 Televizion)