Kurti: Shpresoj që pushteti i ri në Serbi ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

Nga A2 CNN
31 Tetor 2026, 17:15 | Politikë

Kurti: Shpresoj që pushteti i ri në Serbi ta ndryshojë qasjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se shpreson që Serbia do ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës si shtet i pavarur për t’i hapur rrugën normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore, pasi Lista Studentore fitoi zgjedhjet e javës së kaluar, duke e rrëzuar nga pushteti partinë e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Duke folur në një mbledhje të partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje, Kurti tha se “ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, por ende nuk e dimë saktë kush e ka fituar atë”.

“Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si komunitet i diskriminuar”, ka thënë Kurti, përcjell A2.

Lista Studentore i fitoi 52.54 për qind të votave në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, i fitoi 39,29 për qind të votave.

Fitorja e lëvizjes studentore i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, i cili e pranoi humbjen qysh pas përfundimit të votimeve.

Lista Studentore pritet ta formojë e vetme qeverinë e re të Serbisë, por nuk është e qartë se kush do të jetë kandidati i saj për kryeministër të vendit. Ajo nuk e ka gjithashtu as ndonjë program të qartë.

Lidhur me Kosovën, megjithatë, ajo ka thënë se do ta vazhdojë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011 dhe që atëherë kanë arritur një sërë marrëveshjes, shumica e të cilave nuk janë zbatuar në praktikë, sipas bllokut.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) ditë më parë, i pari në listën studentore, Illija Sërdanoviq, tha se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Vuçiqit.

Megjithatë, në qëndrimet publike në Serbi, të cilat Radio Evropa e Lirë i analizoi para zgjedhjeve, qëndrimi i përbashkët i kësaj lëvizjeje politike, të dalë nga protestat studentore kundër korrupsionit, ishte se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”.

Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, nëntë vjet pas luftës së Serbisë që la mijëra të vrarë dhe të zhdukur, shumica dërrmuese shqiptarë vendas.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kurti tha të shtunën se “ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”.

Sipas tij, zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, e vendndodhjeve të varrezave masive dhe e fatit të personave të zhdukur “është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

“Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, shtoi Kurti.

Kurti nuk foli për mundësinë e vazhdimit të dialogut në Bruksel, i cili ka ngecur në vitet fundit.

Më herët, Kurti e ka kushtëzuar vazhdimin e tij në nivel të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Në sulmin e vitit 2023 në Banjskë u vra një rreshter i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë në fshatin e Zveçanit në veri të Kosovës.

Kosova e akuzon Serbinë për përfshirje, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos