“Absolut 4”: 30 vjet Shqipëri-SHBA

Nga A2 CNN
15 Mars 2021, 23:05 | Politikë
“Absolut 4”: 30 vjet Shqipëri-SHBA

Majko: Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA shënoi futjen në rrugën e demokracisë

30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte tema kryesore e diskutimit në emisionin “Absolut 4” në A2.

Për ish-kryeministrin dhe ministrin e Diasporës, Pandeli Majko ky moment ishte shumë kyç për Shqipërinë pasi shënoi futjen e vendit në rrugën e demokracisë.

“Marrëdhëniet diplomatike me SHBA shënojnë dhe futjen e vendit tonë në rrugën e demokracisë. Rirealizimi i marrëdhënieve e ktheu Shqipërinë në logjikën e vetë në kushte të natyrshme. Për vjetërsinë e kombit shqiptar këto 30 vite janë shumë pak. Shqiptarët për miqësinë me SHBA e dinë shumë mirë që është konstante. Ajo nuk kalon nga interesat e politikës”, tha Majko.

Ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni e cilësoi SHBA si një vend reference për Shqipërinë. Sipas saj, nga selia e ambasadës amerikane në Tiranë kanë dalë më shumë vendime të rëndësishme për vendin tonë, duke përmendur këtu dhe faktin e  ambasadorit që përveshi mëngët dhe numëroi votat në qendrën e votimit.

“Selia e ambasadës së SHBA në Tiranë është vend reference. Nga ajo seli kanë dalë më shumë vendime të forta për Shqipërinë. Kemi parë një ambasador që përvesh mëngët dhe numëron votat. Nuk ka shqiptar që nuk i di emrat e ambasadorëve të SHBA nga viti 1991. SHBA shihet si ylli polar që prej vizitës së Xhejms Bejker. Edhe aplikimet për të shkuar në SHBA e tregojnë më së miri këtë dashuri të shqiptarëve për këtë vend. Që prej 1991 varësinë politike prej SHBA e kemi shumë të lartë”, u shpreh Gjoni.

Edhe analisti Lutfi Dervishi e vlerësoi SHBA si një nga aleatët kyçë të vendit tonë. Ai përmendi disa nga momentet më të rëndësishme të historisë që ky vend ka dhënë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe Shqipërinë. Fjalimi i Bejker në 1991 në parlamentin e Shqipërisë është ende aktual ku flet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbështetja tjetër u tregua për Kosovën dhe për futjen me zor të Shqipërisë në NATO. Gjithashtu dhe në muajt e fundit për avancimin sa më të shpejt të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi Dervishi.

Berisha: 26 veta që kryesojnë shërbimin tonë diplomatik, kundër ligjit

Ish-ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe anëtari i këshillit të ambasadorëve, Mal Berisha ka folur në emisionin “Absolut 4” në A2 për historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për Berishën, sot në shërbim diplomatik ka njerëz që kanë poste shumë të larta dhe që kanë qenë anëtarë të Kolegjiumit të Ministrisë së Jashtme ku bënin raporte kundër Bejkerit. Po ashtu sipas tij, 26 persona që kryesojnë përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë janë aty kundër ligjit, pasi ose kanë përfunduar mandatin ose kanë kaluar moshën.

“Sot në shërbimin diplomatik ka njerëz që kanë poste shumë të larta, nga ata që kanë qenë anëtarë të Kolegjiumit të Ministrisë së Jashtme kur bënin raporte kundër Bejkerit. Ata njerëz sot drejtojnë, edhe pse janë në pension. Janë kundër ligjit sepse ligji përcakton se nuk mund të jesh ambasador më shumë se tre vjet dhe përtej moshës. Ndërsa sot, 26 veta që kryesojnë shërbimin tonë diplomatik janë përtej mandatit, përtej moshës. Kjo tregon se nuk kemi mësuar shumë nga ajo që na mësojnë Shtetet e Bashkuara.”, shprehet Berisha.

Po ashtu, ai deklaron se vendi ka shënuar regres në disa fusha.

“A kemi ne zgjedhje të lira dhe të ndershme sot? Nuk kemi. A kemi ne vërtetë atë që thonë disa nga diplomatët amerikanë që Shqipëria ka bërë progres të madh në fushën e medias, kur shohim që në çdo vlerësim nga Departamenti i Shtetit dhe organizatat më të rëndësishme dhe autoritare në botë shënojnë regres dhe jo progres. A kemi liri të sipërmarrjes kur të gjithë flasin për nje ekonomi informale dhe autoritetet më të mëdha që i vënë stampën dhe notën një shteti se në çfarë gjendje është, tregojnë regres.”

“I ndërtuam për t’iu luftuar ju”, Majko tregon historinë me gjeneralin amerikan kur e pyeti për bunkerët

Pandeli Majko, ministri për Diasporën, i ftuar në Absolut 4 në A2, ku u fol për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur të njëjtën qasje si ndaj qeverive të djathta, ashtu edhe atyre të majta.

“Nëse ka pasur një shtet që na ka mirëkuptuar dhe në një mënyrë apo në një tjetër, e ka tejkaluar shumë herë më shpejt sesa ne këtë marrëdhënie të ndërlikuar me të kaluarën, besoj se e kanë mirëkuptuar. Mënyra se si Shqipëria dhe shqiptarët kanë reflektuar pas vitit 1990 flet më shumë sesa një ndjesë apo një histori e gjatë shfajësimi. Më të ndërlikuar kemi qenë në vetë. Kritikat që i kemi bërë njëri-tjetrit në lidhje me marrëdhëniet me SHBA, kam përshtypjen, që më tepër kanë qenë të lidhur me interesa afatshkurtra sesa realiste. Amerikanët kanë qenë njëlloj si me qeveritë e djathta ashtu edhe të majta”, u shpreh Majko.

Majko tregoi edhe një histori me një gjeneral amerikan të NATO-s kur e kishte pyetur atë për bunkerët e ndërtuar në kohën e komunizmit në vendin tonë.

“Po të hapim arkivat dhe të shikojmë se kush i ka kritikuar SHBA-të do të vihemi në vështirësi, për një arsye apo për një tjetër pasi kanë punuar në një punë shteti. Me një mikun tim, gjeneral amerikan i NATO-s, po vizitonim bunkerët në bazën e Pashalimanit. Ai ishte i mrekulluar dhe hyrë e dil në bunkerë, na e solli edhe shpirtin në majë të hundës se do të shkonim të hanim edhe drekën. Në një moment, i ngazëllyer nga të gjithë këto ndërtime ushtarake, më tha, kjo është një mrekulli, pse e kemi bërë të gjithë këtë infrastrukturë? Por mua më kishte ardhur pak shpirti në majë të hundës dhe me gjysmë humori i them, për t’iu luftuar ju. Prit e prit, e prit, ju nuk erdhët dhe ne vendosëm të dorëzoheshim vetë”, tregoi Majko.

Dervishi: Politika amerikane, konsistente ndaj Shqipërisë, pavarësisht qeverive

Gazetari Lutfi Dervishi, teksa ishte i ftuar në Absolut 4 në A2, ku u diskutua për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, u shpreh se politika amerikane ka qenë konsistente, pavarësisht qeverive të majta apo të djathta që kanë qenë në Tiranë.

“Sa i përket politikës së administratave së SHBA, ajo ka qenë konsistente, që nga deklarata e George H. W. Bush në vitin 1989 që, interesi i Amerikës është që Europa të jetë e plotë e bashkuar dhe e lirë. Kjo politikë është përcjell vazhdimisht, si për anëtarësimin e rajonit në BE ashtu dhe për mbylljen e krahut të sigurisë së NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi, Maqedonisë. Ne duhet të kuptojmë që koha kur Pandeli Majko ka qenë kryeministër nuk kthehet më, në kuptimin që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë të qendër të vëmendjes botërore. Edhe Clinton e pati thënë kur shkoi në Prishtinë se, nuk do të jeni në qendër të vëmendjes, pasi ka probleme të tjera. Prioritetet janë zhvendos në Azi.

Konsistente ka qene një gjë që, DASH ka mbajtur një politikë konsistente për Shqipërinë, pavarësisht qeverisjeve që kanë qenë majtas apo djathtas në Tiranë”, u shpreh Dervishi.

Ndërhyrja e SHBA në Kosovë, Majko: Ndikim të madh pati dhe komuniteti shqiptar

Në emisionin “Absolut 4”, ministri për Diasporën, Pandeli Majko ndau dhe disa nga kujtimet e tij në lidhje me ditët që i paraprinë dhe ndërhyrjes së SHBA në Kosovë.

Sipas tij, për këtë vendim të SHBA, një ndikim të madh ka pasur dhe komuniteti shqiptar që jeton në këtë vend dhe Majko tregon momentin kur është takuar me disa nga kongresmenët amerikanë.

“Kam përshtypjen se në rastin e shqiptarëve është dhe pak politikë e brendshme dhe kjo bashkëlidhet me statusin apo influencën e “çuditshme” që ka pasur në politikën amerikane lobi shqiptaro-amerikan, e cili ka qenë një histori shumë e strukturuar. Nëse komuniteti shqiptar në SHBA kishte një organizim i cili arriti deri në dyert e Shtëpisë së Bardhë te presidenti Willson dhe ai pati një bisedim me ta, kjo erdhi nga “të padukshmit”. Nga të padukshmit të cilët pa dashur t’i bëjnë reklamë vetes dhe pa dalë në asnjë titull gazete kanë punuar për Shqipërinë dhe shqiptarët. E njëjta histori ka ndodhur dhe me Kosovën. Unë kam vajtur në Kongres dhe kam gjetur njerëz që flisnin me një mënyrë emocionale përtej parashikimeve të mija dhe kjo gjë nuk lidhej me leximin e letrave apo dokumenteve që ishin mbajtur nga Departamenti i Shtetit, por edhe nga influenca njerëzore e shqiptarëve që ishin në SHBA.

Është e vërtetë që kur ndodhi lufta e Kosovës, të gjithë shqiptarët u bënë një dhe u bënë të paimagjinueshëm përballë kundërshtarëve. Në atë periudhë bëra një ndalesë dhe fillova të bëja diferencën mes njerëzve dhe bindjeve politike. Këto janë ato që bëjnë diferencën.  Falë miqësisë me SHBA, klasa politike pas 1990 ka arritur fitoret më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. SHBA nuk është imponuar por ka këshilluar që kjo është më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Majko.

“Brenda të majtës ka njerëz që ruajnë nostalgji për komunizmin”, Majko: Luljeta nuk është rasti

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko komentoi në emisionin “Absolut 4” në A2 dhe deklaratën e kandidates për deputete të PS në Tiranë, Luljeta Bozo, e cila gjatë një interviste në televizion tha se komunizmi kishte më shumë të mira sesa të këqija.

Për Pandeli Majkon është e vërtetë që brenda së majtës ka njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën e komunizmit, por sipas tij ky nuk është rasti i Luljeta Bozos.

“Ju prisni që unë të mbaj një distancë nga kjo deklaratë dhe të them që nuk është e duhura, nuk është e vërteta dhe nuk kishte pse thuhej në këtë kohë. A ka brenda së majtës njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën? Përgjigja është po. A përfaqëson zonja Bozdo këtë lloj afeksioni? Përgjigja është JO. Por mbase foli më hapur se ndonjë tjetër nga këndvështrimi i saj.

Qëndrimet e mija për këtë çështje janë të qarta. Sistemi komunist ka aplikuar inkuizicionin për ata që i kishte kundërshtarë dhe segregacionin për ata që i konsideronte si pasardhës të tyre. Ne mund të kemi reflektime të ndryshme që kanë të bëjnë me punën e një komuniteti, të cilët sipas mendimit tim për ruajtjen e sovranitetit të vendit apo disa momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me krijimin e universitetit. Këto më tepër sesa fitore të komunizmit duhen parë si fitore të një komuniteti njerëzish të cilët ishin shkolluar në perëndim”, tha Majko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos