Agrofotovoltaikët në tokat djerrë, nisma miratohet në komision, do të rrisë fondet për fermerët

Nga A2 CNN
19 Korrik 2023, 15:41 | Ekonomi
Agrofotovoltaikët në tokat djerrë, nisma miratohet në

Në tokat me pjellori të ulët dhe rrjedhimisht kosto më të larta për prodhimin bujqësor, mund të ndërtohen edhe impiante agrofotovoltaike. Ndërsa në tokat djerrë do të mund të vendosen impiante diellore më tradicionalë.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese nisi diskutimin për projektligjin e ri, që synon të rrisë njëkohësisht edhe prodhimin e energjisë, por edhe përdorimin e tokave bujqësore.

Kemi menduar që zgjidhim një ngërç të krijuar për prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët. Ne duhet të çelim rrugën për këtë prodhim. Dhe për tokat me bonitet 7 dhe 8 do të gjendet zgjidhje si do të rritet pjesa agro bashkë me fotovoltaikun

Arben Pëllumbi, deputet i Partisë Socialiste

Bonitet konsiderohet shkalla e pjellorisë së tokës, ku 1 është shumë produktive dhe 10 është joproduktive. Ndërsa projektligji lejon edhe ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë nga era. Por për deputetët e opozitës, ky model duhet të zbatohet fillimisht vetëm për tokat më pak prodhuese.

S’jam kundër investimeve, por në përputhje me logjikën nëse miratojmë këto ndryshime i hapim rrugën shkatërrimit të tokës bujqësore. Për tokë të punueshme për frymë ne renditemi të fundit në Europë. Të ezaurojmë fondin bujqësor si fillim për bonitetet 8 dhe 9, nëse është e pamjaftueshme marrim vendim të dytë.

Lefter Gështenja, deputet i Partisë Demokratike

Mund të ekzistojë mundësia që tokat me bonitet 7 dhe 8 të mos funksionojnë për këto qëllime. Të kemi parasysh që kostot do të rriten shumë që të kemi dhe prodhim bujqësorë që të vihen dhe fotovoltaik. Sa e garantoni prodhimin bujqësor në këto toka?

Luan Baçi, deputet i Partisë Demokratike

Investimet agrofotovoltaike morën dritën jeshile në Komision dhe pritet të kalojë në Kuvend. Këto sisteme lejojnë prodhimin e perimeve, drithërave, vreshtave, agrumeve apo ndërtimin e serave dhe bashkëjetojnë me blegtorinë. Një tarifë në bazë të energjisë së prodhuar nga këto impiante, do t’i kalojnë fondeve të bujqësisë, për t’u rishpërndarë si mbështetje për fermerët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos