Pasi u shpall peshku më i shëmtuar në botë për pamjen e tij të rrudhur dhe formën xhelatinoze, blobfish ka bërë një rikthim të jashtëzakonshëm. Këtë javë, ai u kurorëzua si “Peshku i Vitit” nga një organizatë mjedisore në Zelandën e Re, shkruan A2 CNN.
Konkursi vjetor, i organizuar nga “Mountain to Sea Conservation Trust”, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për jetën ujore të Zelandës së Re. Këtë vit, blobfish fitoi këtë titull prestigjioz me gati 1300 nga më shumë se 5500 vota.
Kjo është një fitore e madhe për këtë peshk, i cili u bë i famshëm si maskota e “Shoqatës për Ruajtjen e Kafshëve të Shëmtuara” në vitin 2013. Blobfish jeton në fundin e detit dhe mund të arrijë deri në 30 cm gjatësi. Ai gjendet kryesisht pranë brigjeve të Australisë dhe Tasmanisë, në thellësi nga 600 deri në 1200 metra.
Megjithëse është i njohur për formën e tij të çuditshme, në habitatin e tij natyror të thellësive të detit ai duket si një peshk normal, pasi presioni i lartë i ujit i mban formën trupore të qëndrueshme. Por, kur nxirret shpejt në sipërfaqe, trupi i tij humbet strukturën dhe merr pamjen karakteristike të butë dhe të deformuar.
Nëntë nga dhjetë kandidatët për këtë çmim konsiderohen të rrezikuar, përfshirë edhe blobfish, i cili kërcënohet nga peshkimi në thellësi. Ky çmim synon të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e tyre. (A2 Televizion)