A rrezikon Netanyahu nga fitorja e demokratëve në SHBA?

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2026, 23:30 | Bota

A rrezikon Netanyahu nga fitorja e demokratëve në SHBA?

Rivalët politikë të Benjamin Netanyahu-t synojnë ta shfrytëzojnë fitoren e demokratëve në SHBA për të krijuar një qeveri pa "Bibi"-n kryeministër, duke argumentuar se ai ka shpërdoruar mbështetjen amerikane dypartiake për Izraelin, e cila ka qenë e qëndrueshme prej brezash.

Demokratët fituan shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës për Kongresin amerikan. Rezultati përbën një goditje të fortë për presidentin Donald Trump, i nxitur pjesërisht nga pakënaqësia e thellë ndaj luftës jopopullore të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit.

Votimi në SHBA u zhvillua një javë pas zgjedhjeve në Izrael, ku koalicioni i djathtë i Netanyahut humbi shumicën parlamentare, por arriti një rezultat mjaftueshëm të mirë për t’i mohuar kundërshtarit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, një rrugë të qartë për ta rrëzuar nga pushteti.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, pritet të zhvillojë bisedime të mërkurën dhe të enjten me përfaqësuesit e partive politike, përpara se t’i ngarkojë njërit prej dy politikanëve formimin e qeverisë së ardhshme. Ndërkohë, Netanyahu vijon të mbajë postin e kryeministrit në cilësinë e kryeministrit në detyrë.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë aleati më i vendosur i Izraelit prej brezash, nën drejtimin e presidentëve nga të dyja partitë politike, duke i ofruar miliarda dollarë në vit ndihmë ushtarake që prej viteve 1970.

Por, ndryshe nga liderët e mëparshëm, të cilët kujdeseshin të mbanin marrëdhënie të mira si me demokratët, ashtu edhe me republikanët, Netanyahu ka mbështetur hapur republikanët.

Mbështetja për Izraelin mes demokratëve dhe disa republikanëve u lëkund pas ofensivës ushtarake që Izraeli ndërmori në Gaza, pas sulmit të Hamasit në vitin 2023, dhe ra edhe më tej këtë vit, pasi Trump dhe Netanyahu urdhëruan një sulm të përbashkët ndaj Iranit.

Disa kandidatë demokratë e bënë kritikën ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin një nga argumentet kryesore të fushatës së tyre.

Të martën, Trump, i cili kishte shprehur mbështetjen për Netanyahun, premtoi në ditën e zgjedhjeve se do të ndërpriste financimin vjetor prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin. Sipas tij, ky veprim do të eliminonte një “argument të pafavorshëm” që demokratët përdornin kundër tij.

Eisenkot deklaroi të mërkurën se, nën drejtimin e tij, Izraeli do të ripërtërijë partneritetin me Uashingtonin.

“Ne do ta ripërtërijm dhe do ta thellojmë këtë partneritet, do të forcojmë themelet dypartiake mbi të cilat ai është mbështetur prej vitesh dhe do të punojmë për të çuar përpara të gjithë Lindjen e Mesme”, shkroi ai në rrjetin social X.

Yair Golan, kreu i partisë opozitare të qendrës së majtë në Izrael, Demokratët, deklaroi në X se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA “tregojnë se sa toksik është Netanyahu si për demokratët, ashtu edhe për republikanët”.

Ndërsa lideri i opozitës së qendrës, Yair Lapid, tha se rezultatet tregojnë se “Izraeli nuk mund ta përballojë” vazhdimin e Netanyahut në pushtet.

“Kjo rrezikon sigurinë tonë, vë në pikëpyetje demokracinë tonë dhe do të shkatërrojë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Lapid në një postim në rrjetet sociale.

Netanyahu deri më tani ka qëndruar i heshtur lidhur me rezultatin e votimeve në SHBA. Zyra e tij nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Ndërkohë, Udi Sommer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tel Avivit, parashikoi se Kongresi i ri amerikan, ku shumicën do ta kenë demokratët, do të jetë më kundërshtues ndaj Izraelit se çdo Kongres tjetër në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, raporton “Reuters”, përcjell A2CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos