Nga 25-shtatori nis në Tiranë “Lifestyle Conference”, një konferencë mbi jetesën e shëndetëshme dhe reduktimin e risqeve.
“Stili i jetës është kryefjalë sidomos në vitet e fundit. Dhe fakti që e kemi aq shumë teknologjinë pjesë të jetës, akoma më shumë e kemi këtë nevojën për të pasur një stil jetese më të mirë. Në konferencë do të flitet për stil jetese, për zakone të mira, për t’i kushtuar vetes pak më shumë kohë. Të hash më shëndetshëm, të kujdesesh për trupin tënd, për shëndetin emocional dhe psikologjik”, tha në Dita jonë në A2 CNN moderatori Isli Islami.
Ndërsa psikoterapistja Belina Pupa, shtoi se thelbi i kësaj konference është ndërgjegjësimi i njerëzve dhe gjithçka nis nga vetja. “Çdo gjë nis sipas ndjenjave që kemi dhe ndonjëherë harrojmë edhe veten. Stili i jetesës sot është bërë shumë i shpejtë, zgjohemi në mëngjes, e pimë kafen me vrap, Çdo gjë e bëjmë shpejt, mënyra se si hamë, si punojmë, si përdorim telefonin, si harxhojmë kohën tonë. Konferenca bëhet pak për të zgjuar çdo gjë që ne dimë për shëndetin tonë mendor, por për ta rifreskuar, çfarë po bëjmë mirë, çfarë jo. Ideja e konferencës është t’i ndërgjegjësojmë njerëzit sa më shumë që të kthehen te vetja, të mbajmë një regjim më të mirë”, tha ajo. (A2 Televizion)