“Kam nisur si punëtor”, shqiptari që punon krah Trump-it tregon si arriti të fitonte mandatin

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 22:40 | Politikë

Republikani me origjinë shqiptare, Joe Hoxha, i cili fitoi një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it në SHBA, ka rrëfyer rrugëtimin e tij drejt politikës dhe momentet e ankthit deri në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.

Duke folur përmes një lidhjeje Live në  “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Hoxha tregoi se angazhimin politik e kishte nisur si punëtor në fushatat elektorale të kandidatëve të tjerë, pa e menduar se një ditë do të kandidonte vetë.

Ai tha se vendimi për të hyrë në garë erdhi kur iu krijua mundësia, ndërsa natën e zgjedhjeve qëndroi pranë qendrave të votimit, duke ndjekur nga afër numërimin deri në momentet e fundit.

“E dija që një ditë do të angazhohesha në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk e dija që do kandidoja vetë. Për shumë kohë unë kam punuar nëpër fushata për të tjerët, dhe nuk bëhet zakonisht ajo kthyerja nga punëtor nëpër fushatë, në kandidat vetë. Kur mu dha rasti, mu dha dhe kur thonë këta ‘the rest is history’”, rrëfeu Hoxha.

Ai tregoi se pritja e rezultateve ishte shoqëruar me ankth, pasi gjatë gjithë kohës mendonte për mundësinë e humbjes, pavarësisht pritshmërive për fitore.

“Vjen me shumë ankth kjo punë. Edhe sikur ta dish me 1 milion për qind që ke fituar të rri në kokë gjëja më e keqe që mund të ndodhë dhe jo gjëja më e mirë. Unë ndejta te vendet ku bëheshin votimet, shkollë më shkollë, dhe ndenja aty në tabelën time deri te sekonadat e fundit, deri te votuesi i fundit. Kur e pashë që shuma e atyre që akoma duhet të numëroheshin që ishin çuar me postë, ishin më pak se sa ndryshimi me kundërshtarin, aty u lirova dhe thashë: Më duket se kam fituar”, deklaroi ai.

Hoxha foli edhe për mbështetjen që mori nga komuniteti shqiptar në zonën ku kandidoi. Sipas tij, ndonëse shqiptarët nuk janë të shumtë në atë zonë, ata u bënë pjesë e mbështetjes për kandidaturën e tij, pavarësisht bindjeve politike.

“Në këtë zonë s’ka shumë shqiptarë, por ata që janë më mbështetën dhe nuk pyetën fare për pikëpamjet politike, më mbështetën vetëm për origjinën shqiptare”, përfundoi Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos