Miu gjigant afrikan vendos rekord botëror në zbulimin e minave

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 09:34 | Lifestyle

Miu gjigant afrikan vendos rekord botëror në zbulimin e minave

Pavarësisht reputacionit jo të mirë që zakonisht kanë minjtë, Ronin – një mi gjigant afrikan me nuhatje të jashtëzakonshme – po ndryshon perceptimin për specien e tij. Ky mi i trajnuar nga organizata belge APOPO ka vendosur një rekord të ri botëror për numrin më të madh të minave tokësore të zbuluara nga një mi, shkruan A2 CNN.

Midis gushtit 2021 dhe shkurtit 2025, Ronin ka zbuluar 109 mina tokësore dhe 15 mjete të tjera të pashpërthyera pranë në Kamboxhia, sipas Librit të Rekordeve Guinness.

“Arritjet e Ronin janë një dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të minjve”, tha trajneri i tij kryesor, Phanny.

Minat tokësore janë një kërcënim i madh në zonat që kanë kaluar konflikte. Ato janë të fshehura nën tokë dhe mund të shkaktojnë vdekje apo lëndime të rënda për civilët – veçanërisht fëmijët. Vetëm në Kamboxhia, mbi 65 000 njerëz janë vrarë ose lënduar nga minat që prej vitit 1979.

Minjtë si Ronin janë idealë për këtë mision, pasi janë të mençur, të shpejtë dhe mjaft të lehtë, duke i gjetur minat pa i aktivizuar ato. Ata trajnohen për të nuhatur përbërësit kimikë të eksplozivëve dhe t’u tregojnë vendndodhjen trajnerëve të tyre.

Ronin, i lindur në Tanzani dhe me gjatësi mbi 60 cm, është më i madh se një mi i zakonshëm dhe peshon rreth 1.2 kg. Ai është pjesë e një ekipi me mbi 100 minj të trajnuar nga APOPO, të cilët mund të kontrollojnë një fushë me madhësi sa një fushë tenisi për 30 minuta – një punë për të cilën do t’i duheshin katër ditë një njeriu për ta përfunduar.

Ronin merr stafetën nga Magawa, miu tjetër legjendar që zbuloi 71 mina dhe 38 mjete të tjera përpara se të ndërronte jetë në vitin 2022. Këta minj janë dëshmia se edhe kafshët më të vogla mund të bëjnë punë të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos