Pse sulmet në zemër janë më pak të dëmshme gjatë natës? Ja shpjegimi shkencor

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 13:31 | Lifestyle

Pse sulmet në zemër janë më pak të dëmshme

Studime të reja shkencore po hedhin dritë mbi arsyen pse sulmet në zemër që ndodhin gjatë natës rezultojnë shpesh më pak të rënda sesa ato të orëve të para të mëngjesit. Sipas një studimi të publikuar në “Journal of Experimental Medicine”, ky ndryshim lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e neutrofileve, një lloj qelizash të bardha të gjakut që luajnë rol kyç në reagimin inflamator të trupit.

Neutrofilet janë më aktive gjatë ditës, për shkak të ritmeve cirkadiane, “ora biologjike” që rregullon funksionet e organizmit. Gjatë një infarkti, këto qeliza reagojnë për të riparuar dëmin, por shpesh e teprojnë, duke shkaktuar inflamacion të madh që dëmton edhe indet e shëndetshme të zemrës. Studiuesit kanë zbuluar se pothuajse gjysma e dëmtimit të zemrës pas një ataku vjen pikërisht nga ky inflamacion i tepruar.

Analiza e të dhënave nga mijëra pacientë në Spanjë tregoi se infarktet gjatë natës shoqërohen me dëmtime më të vogla, pasi neutrofilet janë më pak agresive. Studiuesit më pas konfirmuan se te minjtë, ashtu si te njerëzit, sulmet në zemër në orët e para të mëngjesit shkaktojnë dëme më të gjera në zemër, pikërisht për shkak të aktivitetit të shtuar të neutrofileve në këtë kohë të ditës.

Shkencëtarët testuan edhe një molekulë eksperimentale, ATI2341, që imiton një përbërës të prodhuar natyrshëm nga trupi ynë gjatë natës. Ai synon një receptor në sipërfaqen e neutrofileve dhe ndryshon sjelljen qelizore të qelizave të bardha të gjakut, duke i vënë ato në një gjendje më pak aktive. Kjo lejon që inflamacioni të rregullohet pa kompromentuar sistemin imunitar. Sipas autorëve të studimit, bllokimi i ritmeve cirkadiane të neutrofileve jo vetëm që mbrojti zemrat e minjve, por gjithashtu përmirësoi reagimin e tyre ndaj patogjenëve të caktuar dhe uli proceset e tjera të dëmshme inflamatore.

Gjetjet mund të hapin rrugën për terapi të reja për të mbrojtur organet e brendshme nga dëmtimet e shkaktuara nga inflamacioni i tepërt.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos