Fizioterapisti Eduart Abedini, i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, ka dhënë një paralajmërim të rëndësishëm për një praktikë të zakonshme të mëngjesit: bërjen e dushit të nxehtë dhe daljen menjëherë jashtë në temperatura të ulëta. Sipas tij, ky kombinim i papërshtatshëm është një nga shkaqet kryesore që mund të çojë në probleme serioze, përfshirë kontraktime të muskujve të fytyrës dhe deri te paraliza faciale.
“Një dush i nxehtë dhe ti duhet të dalësh shpejt sepse do të nisësh për punë. Ky është një shkak shumë i shpeshtë që mund të ndodhi një paralizë faciale. Na ka ndodhur të gjithëve që një herë në jetë së paku të kemi bërë dush me ujë të nxehtë edhe të na është dashur të dalim menjëherë nga shtëpia dhe ndonjëherë mund të na ketë ndodhur vërtetë që të ndjejmë një lloj shtrëngimi ose një lloj kontraktimi të muskujve të fytyrës. Kemi pasur edhe fëmijë dhe mosha 4-5 vjeç. Ideja është që pas dushit të nxehtë duhet të rrimë pak kohë, duhet të rrimë një gjysmë ore - një orë, pastaj të dalim, që trupi ta fitojë nxehtësinë e vet që ka vet si individ, pastaj mund të dalë”, tha Abedini, përcjell A2 CNN.
Ai apelon të shmanget dushi i nxehtë në mëngjes nëse personi ka në plan të dalë menjëherë jashtë, pasi ndryshimet e menjëhershme të temperaturës përbëjnë rrezik real për shëndetin e fytyrës dhe sistemit nervor. (A2 Televizion)