Nis prodhimi për makinën fluturuese, nga fantashkencë tashmë bëhet realitet

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 16:38 | Teknologji

Nis prodhimi për makinën fluturuese, nga fantashkencë tashmë

Ajo që deri dje dukej si fantashkencë, sot po hyn zyrtarisht në prodhim. Kompania amerikane Alef Aeronautics ka njoftuar se “makina e parë fluturuese në botë” për përdorim nga publiku i gjerë ka nisur fazën e prodhimit dhe së shpejti do t’u dorëzohet klientëve të parë.

Sipas Daily Mail, bëhet fjalë për modelin Alef Model A Ultralight, një mjet futurist që mund të ngrihet vertikalisht në ajër falë tetë helikave të fshehura në pjesën e përparme dhe të pasme të automjetit. Pasi përfundon fluturimin, makina ulet dhe funksionon si një automjet elektrik i zakonshëm.

Pas më shumë se dhjetë vitesh zhvillim, automjetet e para do të ndërtohen me dorë në ambientet e kompanisë në Silicon Valley, Kaliforni. Çdo makinë kërkon disa muaj punë artizanale dhe testime të rrepta përpara se t’u dorëzohet blerësve. Fillimisht, vetëm një numër i kufizuar klientësh do t’i testojnë automjetet në kushte shumë të kontrolluara, shkruan A2 CNN.

Nis prodhimi për makinën fluturuese, nga fantashkencë tashmë

Modeli A Ultralight peshon vetëm 385 kilogramë dhe klasifikohet si mjet elektrik “me shpejtësi të ulët”, çka do të thotë se në rrugë publike nuk mund të kalojë shpejtësinë 40 km/h. Megjithatë, ai është i certifikuar për fluturim nga Autoriteti Federal i Aviacionit.

Kompania deklaron se ka marrë mbi 3,500 porosi paraprake, me vlerë totale mbi 800 milionë paund. Aktualisht, çmimi i mjetit është rreth 235 mijë paund, por synimi afatgjatë është që, me prodhimin masiv, kostoja të ulet ndjeshëm, duke e bërë makinën fluturuese më të përballueshme për publikun e gjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos