Melania Trump ndërmjetëson armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës, takon delegacionet në Shtëpinë e Bardhë

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 21:57 | Bota

Melania Trump ndërmjetëson armëpushimin mes Rusisë dhe

Melania Trump ka marrë një rol të rëndësishëm në një marrëveshje humanitare mes Rusisë dhe Ukrainës, duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm në qytetin e Oleshky-t dhe duke organizuar një takim me përfaqësuesit e të dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë.

Armëpushimi i kufizuar në rajonin e Khersonit mundësoi hyrjen e ndihmave humanitare dhe evakuimin e afro 800 civilëve nga zona e pushtuar nga forcat ruse.

Gjatë takimit të zhvilluar më 5 nëntor, Zonja e Parë amerikane deklaroi se ishte përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha fazat e planifikimit të operacionit, nga shqyrtimi i hartave dhe planeve për çminimin e zonës, deri te përcaktimi i rrugëve të evakuimit dhe sigurimi i aksesit në spitale e shërbime mjekësore.

Melania Trump e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm humanitar dhe shprehu shpresën se ajo mund të shërbejë si pikënisje për një paqe më të qëndrueshme mes dy vendeve.

Në takimin në Shtëpinë e Bardhë mori pjesë edhe Kirill Dmitriev, i dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, i cili falënderoi Melania Trump për angazhimin e saj dhe vlerësoi bashkëpunimin mes palëve.

Ndërkohë, pala ukrainase përfaqësohej nga zyrtarë të lartë, mes tyre edhe David Arakhamia dhe komisioneri për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets. Melania Trump u nderua gjithashtu me Urdhrin e Princeshës Olga, të klasit të parë, një dekoratë shtetërore ukrainase.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos