Zhupa zbulon strategjinë e PD-së kundër Ramës: Bashkim i opozitës dhe mobilizim i madh qytetar

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 22:43 | Politikë

Zhupa zbulon strategjinë e PD-së kundër Ramës: Bashkim i

Deputetja demokrate Ina Zhupa shprehet e bindur se kjo vjeshtë e gjen opozitën në një situatë ndryshe nga vitet e mëparshme, me më shumë mundësi për bashkim dhe mobilizim qytetar.

E ftuar në emisionin “Çdo Kënd” me Meritа Haklajn, Zhupa deklaroi se këtë herë protestat nuk janë thjesht një nismë e Partisë Demokratike, por po marrin formën e një reagimi më të gjerë opozitar dhe qytetar.

 “Këtë vjeshtë, ndryshe nga vjeshtat e tjera, kemi të bëjmë për herë të parë jo me një nevojë të Partisë Demokratike për të thirrur një protestë me logon dhe flamurin e saj, por me një opozitë të madhe që bashkohet.

Qytetarët janë të vetëdijshëm për të keqen e madhe të këtij vendi, për Edi Ramën, dhe mendoj se kjo është një arritje e opozitës”, u shpreh Zhupa.

Deputetja demokrate theksoi se PD ka tashmë një axhendë politike, të bërë publike nga strukturat drejtuese dhe kryetari i partisë, ku një ndër objektivat kryesorë është bashkimi i opozitës, pavarësisht dallimeve dhe mendimeve të ndryshme brenda saj.

 “Ne duhet të na bashkojë e keqja e madhe e këtij vendi dhe ndjekja e interesit publik. Uroj që përpjekjet për bashkim të jenë të suksesshme.

Misioni i kësaj vjeshte është të arrihet një bashkim sa më i madh opozitar, i sheshit, i protestës, i studentëve, i aktorëve, i faktorëve, i sindikatave dhe i partive, për t'u bashkuar në një bllok të madh të qytetarëve shqiptarë përballë Edi Ramës dhe qeverisjes që ai përfaqëson”, deklaroi Ina Zhupa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos