Njeriu që jetoi me zemër prej titani për 100 ditë

Nga A2 CNN
12 Mars 2025, 09:44 | Teknologji

Njeriu që jetoi me zemër prej titani për 100 ditë

Një burrë australian në të 40-at e tij ka jetuar për 100 ditë me një zemër artificiale prej titani, duke shënuar periudhën më të gjatë që dikush ka kaluar me këtë teknologji.

Pacienti, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, iu nënshtrua operacionit në Spitalin St. Vincent’s në Sidnei nëntorin e kaluar. Në shkurt të këtij viti, ai u bë personi i parë në botë që doli nga spitali me këtë pajisje, e cila e mbajti gjallë deri sa iu gjet një donator këtë muaj.

Sipas një deklarate nga Spitali St. Vincent’s, Universiteti Monash dhe kompania BiVACOR, që krijoi pajisjen, pacienti po e rimerr veten mirë. Ky sukses konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt përdorimit afatgjatë të zemrave artificiale për pacientët me insuficiencë kardiake.

Njeriu që jetoi me zemër prej titani për 100 ditë

Si funksionon zemra artificiale?

Zemra artificiale BiVACOR ka vetëm një pjesë lëvizëse, që përmes magneteve pompon gjakun drejt trupit dhe mushkërive, duke zëvendësuar të dyja ventrikujt e zemrës së njeriut. Duke qenë se nuk ka valvula apo kushineta mekanike, zvogëlohet rreziku i konsumimit.

Kjo teknologji, e krijuar nga inxhinieri australian Daniel Timms pas vdekjes së babait të tij nga sëmundjet e zemrës, ofron një alternativë premtuese për pacientët që presin një transplant zemre.

Përparimi i testimeve klinike

BiVACOR ka testuar pajisjen në Shtetet e Bashkuara përmes studimeve të miratuara nga FDA. Deri tani, pesë pacientë kanë marrë implantin me sukses, në pritje të transplantit e tyre.

Në Australi, ky implant është pjesë e një programi prej 50 milionë dollarësh australianë për zhvillimin e pajisjeve për trajtimin e insuficiencës së zemrës. Ekspertët shpresojnë që brenda dekadës së ardhshme, zemrat artificiale të bëhen një alternativë standarde për pacientët që nuk mund të presin donatorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos