
Avokati i Popullit i ka kërkuar Qeverisë të ndërmarrë hapa të shpejtë për t’u mundësuar qytetarëve të prekur nga Covid-19 mbështetje të mjaftueshme dhe pa diskriminim me barna dhe shërbim shëndetësor, konform ligjeve në fuqi.
Sipas këtij institucioni, numri i përfituesve ka qenë tepër i ulët, krahasuar me shkallën e gjerë të prekjes së popullatës nga kjo sëmundje, pavarësisht miratimit të paketës së trajtimit COVID-19 ambulator në banesë të të prekurve me Covid-19.
Në një rekomandim adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, Avokati i Popullit ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zgjerimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19, duke përfshirë në të analizat laboratorike dhe ekzaminimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.
Avokati i Popullit ka kërkuar që të përfshihen në kategorinë e përfitimit të trajtimit të sëmundjes edhe individët e diagnostikuar me Covid -19, për periudhën mars-nëntor 2020.
“Në një tjetër pikë, institucioni më i madh i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, ka kërkuar nga autoritetet shëndetësore për garantimin e ofrimit pa asnjë diskriminim të shërbimit shëndetësor – paketë barnash, duke mos e kufizuar atë vetëm për pacientët e konfirmuar pozitivë me tampon nga institucionet shëndetësore publike, por duke e ofruar atë për të tërë pacientët e diagnostikuar me këtë sëmundje infektive, pavarësisht mënyrës së kryerjes së ekzaminimit apo institucionit shëndetësor kur është kryer ai”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, i cili vëren se numri i përfituesve është jashtëzakonisht i vogël në raport me numrin e të infektuarve.
“Në informacionin e marrë zyrtarisht nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me numrin e pacientëve përfitues për periudhën 19.11.2020 deri në datë 31.01.2021 rezulton të jenë ekzekutuar 2988 receta me rimbursim. Ndërkohë që numri real i personave të prekur me Covid-19 dhe bërë publik çdo ditë nga MSHMS: për periudhën 19 Nëntor 2020 deri në 31 Janar 2021 është 47 982 persona, pra mesatarisht 648 të prekur në ditë. Ndërsa ky numër deri në dt.10.03.2021, është 85 406 persona. Pra nga sa rezulton konstatohet se numri i përfituesve është jashtëzakonisht i vogël në raport me numrin e të infektuarve”. (A2 Televizion)