
Kreu demokrat, Lulzim Basha, është takuar sot me përfaqësues e drejtues të Urdhrit të Farmacistit dhe pacientë, pas shpalljes së platformës për shëndetësinë. Ai u premtoi atyre se kur të vijë në pushtet do të ndryshojë situatën e rëndë të tregut të barnave në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve. Sipas tij, programi për shëndetësinë i demokratëve ka në qendër pacientin.
“Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave e cila sjell barna të pacertifikuara, jo në funksion të shëndetit të njerëzve, por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish. Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të jenë të cilësisë dhe standardeve të vendeve europiane. E dyta, ka të bëjë me pacientin, sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrё kёtё mjekim”.
Për Bashën, kёto janё dy ndryshimet kryesore qё do tё sjellё programi pёr shёndetёsinё për të mundësuar që shqiptarët të cilët sot paguajnë më shumë në Ballkan të marrin shërbimin e merituar.
“Shqiptarët harxhojnë më shumë në rajon për barnat, dhe marrin shërbimin me cilësi më të dobët, se paraja nuk përdoret me eficiencë, shpërdorohet, vidhet e abuzohet. Këto janë dy ndryshimet kryesore për shëndetësinë’
Basha sqaroi edhe çështjen e kartës së pacientit që do të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së mjekut, spitalit apo edhe ilaçit që i duhet pacientit.
“Karta e pacientit do të mundësojë që pacienti të zgjedhë, te cili mjek familjeje do të shkojë, te cili specialist do të shkojë, te cili spital do të shkojë, dhe detyra e shtetit është të sigurojë që sistemi i sigurimeve shëndetësore të funksionojë dhe të marrin rimbursimin e duhur, ndërkohë që zgjedhjen e kanë ata në dorë”.
Nga ana e tyre, farmacistët, shprehën nevojën për rregullimin e bazës ligjore, e cila do të çojë në vlerësimin financiar dhe profesional të tyre. (A2 Televizion)