
Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, u shpreh se vendimi për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar u mor që të mos përsëritej skenari i KPD-së që, sipas tij, “çau Partinë Socialiste” në vitin 2001.
“Ajo që tani shihet me ëndje nga ata që bëjnë analiza mbi Partinë Socialiste dhe presin që të kthehet prapë te ato debatet e brendshme të viteve 2001-2003, që ishin shfaqje të bukura në televizion apo gazeta, pasi PS-ja furnizonte me debatet dhe epitetet karshi njëri-tjetrit, dhe dukej sikur ishim mirë sepse flisnim për njëri-tjetrin. Por, ishte ndarja që ndodhi në KPD-në e 2001-t që e çau Partinë Socialiste, u duk sikur u pajtuan pastaj Nano e Meta duke u futur në qeveri së bashku, por në 2003 u kuptua që ai bashkim ishte fallco. Ndarja u bë e madhe pastaj, duke u krijuar një parti tjetër me votat e PS-së. Në 2005 pastaj u humb pushteti sepse nuk u fokusua te ajo që duhej të bënte, te qeverisja e vendit dhe realizimi i më të mirës për shqiptarët. Për të mos shkuar tek i njëjti skenar, kemi marrë një vendim i cili ka të bëjë me qeverisjen dhe jo me ofrimin e debatit tonë të brendshëm e të problematikave të brendshme”, tha Klosi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Nëse ka një gjë që ndodh tani në PS, është debati që bën kjo parti me veten e saj në mënyrë periodike. Bëjmë mbledhje disaorëshe për problematika të caktuar. Për shembull, çfarë po ndodh me Kadastrën, me legalizimet, me investimet publike. Ne mblidhemi çdo javë, drejtuesit politikë me ministrat, dhe diskutojmë çdo problematikë që kemi në territor. Debati për paketën fiskale, për ligjin e sponsorizimeve, ka qenë debat i gjatë. Edhe çdo të premte deputetët takojnë qytetarët, mbledhin problemet e tyre”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. (A2 Televizion)