
Kryetari i opozitës Lulzim Basha ishte në Ishëm të Durrësit, ku tha se ishte përballur me mungesë totale të shtetit në ndihmë të banorëve që kanë mbetur në qiell të hapur si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.
Nuk i ka shkuar askush t’i shohë dhe t’i japë një sqarim a mund të rrinë apo jo. Në kampin në Manëz është një batërdi e vërtetë. Balta ka shkuar deri në gju, ku ka fëmijë 1 muajsh dhe pleq 90 vjeçarë të sëmurë”, deklaroi Basha.
Kryeopozitari e cilësoi si “kriminale” prishjen e godinave të shpallura të rrezikshme në Durrës.
"Shembja e shpejtë e objekteve është kriminale, këto objekte duhen studiuar pse gjithçka ndodhi, një nga profesorët e nderuar thoshte se betoni flet, mund të shihen të gjitha shkaqet aty”, vijoi ai.
Basha i kërkoi edhe një herë qeverisë t’i pranojë propozimet e opozitës, për të përdorur paratë e parashikuara për kontratat koncensionare për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti.
“Mos ta konsiderojë garë, dakord jam, të çojë menjëherë inxhinierët në terren për vlerësim dhe të bëj alokimin e fondeve për njerëzit në nevojë, nuk pret më koha”, përfundoi kreu i PD-së. (A2 Televizion)