Basha: Shtetin prej kartoni e shembi tërmeti i korrupsionit

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2019, 18:23 | Politikë
Basha: Shtetin prej kartoni e shembi tërmeti i korrupsionit

Nga Fushë Mamurrasi, atje ku ishte për të parë nga afër dëmet e tërmetit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se sot më shumë se kurrë kanë dalë në pah mangësitë institucionale dhe shtetërore, “me korrupsionin dhe ndihmën selektive që u kanë bërë familjeve të goditura nga tërmeti”.

“Në shtëpitë ku jam futur këto dy javë kam parë që para se t’i godiste tërmeti i 26 nëntorit, i kishte goditur tërmeti i varfërisë. Për fat të keq, mangësitë institucionale dhe shtetërore kanë dalë në pah më shumë se kurrë bashkë me korrupsionin dhe bashkë me atë që njerëzit po e dallojnë se po i ndajnë në të nënës dhe të njerkës. Në këtë kohë, kontributi vullnetar i të rinjve ka bërë një diferencë të jashtëzakonshme të përnatshme, të përditshme me nevojat bazike që nga fëmijët 4-5 muajsh e deri tek të moshuarit 80 apo 90 vjeç”- u shpreh kreu i opozitës.

Në takimet me banorët e prekur nga tërmeti në Mamurras, zoti Basha u shoqërua nga rinjtë e FRPD-së, të cilëve u shprehu mirënjohje për kontributin vullnetar,  së bashku me banorët e Unazës së Re dhe Aleancës për Teatrin, pasi ata u kanë shërbyer të gjithë të dëmtuarve, me ushqim, ngrohje dhe ilaçe.

Më tej, kreu demokrat theksoi se shtetin prej kartoni e shembi tërmeti i korrupsionit. “Pasojat e tërmetit të vërtetë i përballuam me solidaritet dhe me bashkim të njerëzve më të pastër të këtij vendi që shpeshherë janë njerëzit që kanë vuajtur më shumë. Nuk është e rastësishme që Astiri, Aleanca për Teatrin janë në krye të grupimeve dhe organizatave që kanë kontribuar. Në krye të kësaj përpjekje, që i kam parë me sytë e mi prej orës së parë të fatkeqësisë në Thumanë kanë qenë të rinjtë dhe në veçanti të rinjtë e FRPD”-së”, tha Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos