Presidenti kujton Ditën e Rinisë: Ju inkurajoj të merrnin në dorë fatet e vendit

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2019, 08:48 | Politikë
Presidenti kujton Ditën e Rinisë: Ju inkurajoj të merrnin në

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar, përmes një mesazhi të ndarë në rrjetet sociale, 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë.

Kreu i shtetit kujtoi të rinjtë që 29 vite më parë ndanë Shqipërinë nga izolimi dhe morën në dorë fatet e vendit dhe ftoi të rinjtë e sotëm të bëjnë të njëjtën gjë.

“Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë. Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit '90!”, tha Meta.

Një urim i veçantë në këtë 8 dhjetor shkoi nga Presidenti Meta për të rinjtë që u solidarizuan për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin. Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese. Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit”, përfundon Presidenti.

Disa ditë më parë, pas përplasjeve me mazhorancën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta kishte paralajmëruar të mbante një tubim në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti, me rastin e 8 dhjetorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos