Vizita e kancelares Angela Merkel në Tiranë do të mbetet sigurisht në histori si një nga daljet e fundit publike të saj si drejtuese prej 16 vitesh të Gjermanisë, shtetit “lokomotivë” të Bashkimit Europian. Por cilat janë domethëniet e kësaj vizite, nga pikëpamja e interesave gjermane dhe shqiptare? Sipas diplomatit Lysien Bashkurti, “vizita në Tiranë është pjesë e një turi rrethor në të cilin Merkel po tenton të lej testamentin e saj të politikës së jashtme europiane. Pas vizitës në Poloni dhe agjendës specifike për atë vend, ku nuk munguan edhe mesazhe për Ukrainën, vend aleat dhe strategjik për Berlinin, kancelarja erdhi në Ballkanin Perëndimor dhe do ta mbyllë këtë tur në Francë. Mesazhi është që Gjermania ka qenë, është edhe do të mbetet një fuqi e rëndësishme europiane që do të jetë prioritizuese e politikave europiane në nivele globale, por duhet parë edhe si një mbështetje politike për partinë e saj, që është në prag të zgjedhjeve”. Përzgjedhja pikërisht e Beogradit dhe sot Tiranës nuk mund të jetë e rastësishme. “ Padyshim, të gjitha elementet e një vizite të tillë kanë domethënien e tyre. Serbia dhe Shqipëria kanë domethëniet e veta, sepse Serbia ka qenë epiqendër e politikave të Merkel, veçanërisht në mandatin e dytë dhe të tretë, ku kancelarja ka mbështetur integrimin e Serbisë duke tërhequr investime të mëdha ekonomike në atë vend. Por agjenda e integrimit kërkon patjetër çështjen e njohjes së Kosovës, dhe këtë e ka deklaruar vetë Merkel. “Ajo ka deklaruar që ka një seri hapash që duan marrë për këtë. Beogradi do të shkojë drejt njohjes, por do të duhet një kohë e gjatë, sepse politika e jashtme serbe nuk mbështetet ende në parimet e BE-së, që kanë si parim fqinjësinë e mirë. Serbia vazhdon të jetë epiqendra që gjeneron krizat dhe marrëdhëniet me fqinjët, dhe jo gjithçka është e vulosur nga lidershipi, por ka edhe një seri institucionesh si Kisha dhe Akademia e Shkencave, që po i drejtohet të gjitha metaforës së botës serbe. Kisha serbe po luan aty rolin e organizatës politike nacionaliste sesa të atij të një institucioni religjioz”. Po domethëniet për Tiranën, dhe klasën e saj politike? “Shqipëria është në një pozicion të rëndësishëm në gjeopolitikën europiane, jo vetëm për gjeografinë. Është anëtare e NATO-s, dhe pikë e Merkel ka qenë fuqizimi i transatlantizmit përmes fuqizimit te BE dhe aleancës së NATO-s. Por nuk duhet harruar se Shqipëria është përpjekur që të ketë një lloje ndikimi më të dukshëm në nivel rajonal. Nuk po them që Tirana është po aq e rëndësishme sa Beogradi në Ballkanin perëndimor, por po i afrohet shumë”. Sa për mesazhin për klasën politike, Bashkurti thekson se “ Shqipëria ka ndryshuar nga vizita e parë e Merkel në vend, në 2015, por edhe Gjermania ka ndryshuar qasjen. Agjenda e Berlinit ka evoluar, duke nënvizuar rëndësinë e atyre kushteve që plotësojnë ato aspekte që konsolidojnë shtetin, nga balancimi i drejtësisë tek e drejta e pronës. Shqipëria nuk është vend që përben probleme për stabilitetin e brendshëm dhe rajonal, por ballafaqohet për demokracinë e institucioneve të saj. Është e kuptueshme që kjo vizitë ka karakter dy dimensional, thekson elemente kontinuiteti të politikave gjermane me Shqipërinë dhe për mbështetjen e saj për integrimin, por edhe një mesazh që prioriteti i Berlinit është krijimi i një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, me objektiv vitin 2024, si dhe vijimi i procesit të Berlinit si hap drejt integrimit”. (A2 Televizion)
Bashkurti: Vizita e Merkel, testament politik, Tirana dhe Beogradi nuk janë zgjedhur rastësisht
