“Beteja” e sondazheve në SHBA, Biden përparësi në disa shtete kyçe, Trump “bind” në Ajoua

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2020, 23:21 | Bota
“Beteja” e sondazheve në SHBA, Biden përparësi

Mungojnë tashmë vetëm dy ditë nga dita e zgjedhjeve amerikane, dhe fushatës së dy kandidatëve, presidenti Trump dhe Joe Biden, po i vjen fundi.

Vëmendja e opinionit publik amerikan por edhe i të gjithë botës në këto orë po fokusohet më së shumti në sondazhet e ndryshme  që tentojnë të paracaktojnë fituesin që do të ulet në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë që rreth 91 milionë amerikanë kanë votuar tashmë me postë, diçka që rrezikon të zhvendosë verdiktin final të votuesit me disa ditë,  sondazhet kryesore në SHBA shpërblejnë fushatën e Joe Biden, që sipas tyre kryeson veçanërisht në të ashtuquarit “Swing States”, pra shtetet ku historikisht nuk ka një dominim i një partie të caktuar, por edhe të atyre që mund të ndryshojnë “ngjyrë” në mënyrë të paparashikuar.  

Një sondazh i sotshëm i gazetës New York Times  i jep kandidatit demokrat Biden një avantazh të dukshëm në disa shtete kyçe si, Pensilvania, Florida, Arizona dhe Uiskonsin.  Në këtë shtet, madje, sipas këtij sondazhi Biden kryeson me 11 pikë, pra përtej gabimit të mundshëm.  

Sondazhe të tjera, si ai i CNN, tregojnë një sfidë më të hapur në Florida, por tregojnë edhe se mund të ketë një surprizë të madhe edhe në Teksas, ku rreth 30 % i amerikanëve që nuk votonin prej vitesh ose kurrë kanë deklaruar se kanë votuar, dhe janë më së shumti të rinj dhe afro-amerikanë larg nga parimet e Trump.

Por ka edhe sondazhe në favor të presidentit, edhe pse më pak në numër. Njëri prej tyre, ndoshta më domethënësi nga ata që i japin zemër republikanëve, është ai i Des Moines Register që tregon Trump në përparësi në shtetin e Ajouas me 7 pikë në një shtet të rëndësishëm për zgjedhjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos