Bie përsëri numri i viktimave ditore në Spanjë

Nga A2 CNN
13 Prill 2020, 11:40 | Bota
Bie përsëri numri i viktimave ditore në Spanjë

517 persona kanë humbur jetën në Spanjë në 24 orët e fundit nga koronavirusi, raportoi Ministria e Shëndetësisë atje. Shifra tregon luhatje të vazhdueshme, gjithsesi në rënie, të viktimave ditore. Të dielën, numri i viktimave ditore ishte 619, ndërsa të shtunën 510.

Sipas të dhënave më të fundit, numri total i viktimave ka arritur në 17489, që prej nisjes së krizës shëndetësore, ndërsa 169496 raste janë konfirmuar zyrtarisht. Prej tyre, 64727 janë shëruar.

Duke marrë shkas nga raportimet pozitive të ditëve të fundit, autoritetet spanjolle po rifillojnë hapjen e pjesshme të ekonomisë. Megjithatë janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për të mbajtur shifrat e ulëta në pandeminë Covid-19. Ministria e Brendshme ka nisur shpërndarjen e maskave mbrojtëse, përdorimi i së cilave është bërë i detyrueshëm në ambiente publike. Deri në 10 milionë njësi janë dërguar tek spanjollët që do të rikthehen në punë, në industri si ndërtimi dhe të tjera. Megjithatë, kryeministri Pedro Sanchez, konfirmoi ne fuqi masën e izolimit, pas kritikave të ditëve të fundit se kjo rihapje graduale e ekonomisë mund të rikthejë bilancet tepër tragjike.

Ashtu si Spanja, edhe Franca po sheh dritë në fund të tunelit në pandeminë koronavirus. Qeveria e Parisit raporton një total prej mbi 14 mijë viktimash, me një rritje ditore prej 560 viktimash, ndërsa rastet shënuan ulje për të katërtën ditë radhazi. Që prej shpërthimit të virusit, Franca regjistron më shumë se 95 mijë të prekur. Shënoi rënie dhe numri i pacientëve që gjenden në terapi intensive, duke i mundësuar pak lehtësim sistemit shëndetësor.

Ndërkohë, edhe Gjermania vijon të kontrollojë përhapjen e koronavirusit të ri. Autoritetet federale kanë konfirmuar mbi 120 mijë të infektuar me Covid-19, me një rritje prej 2800 rastesh në 24 orët e fundit. Në total kanë humbur jetën mbi 2600 persona dhe janë shëruar 60 mijë pacientë që prej shpërthimit të pandemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos