
Gazeta e pavarur ruse “Novaya Gazeta” ka njoftuar mbylljen, duke përmendur presionin e autoriteteve, të cilat së fundmi kontrolluan banesën e një prej redaktorëve të saj të lartë, ndërsa në fillim të këtij viti arrestuan një gazetar të saj.
“Novaya Gazeta po pushon së ekzistuari”, deklaroi kryeredaktori Sergei Sokolov në një video të publikuar të premten në YouTube. “Autoritetet ruse, shërbimet sekrete ruse, e kanë detyruar redaksinë t'i japë fund punës së saj”.
Rusia ka vendosur nivele censure të ngjashme me ato të periudhës sovjetike që prej dërgimit të trupave në Ukrainë, duke detyruar shumicën dërrmuese të gazetarëve të pavarur të largohen nga vendi, shkruan A2 CNN. “Novaya Gazeta”, e konsideruar si një nga bastionet e gazetarisë së pavarur në Rusi, është klasifikuar nga Moska si “agjente e huaj”, një etiketim që përdoret për të kufizuar zërat kritikë ndaj pushtetit.

“Novaya Gazeta është vrarë. Më 9 nëntor do të fikim dritat në shtëpinë tonë, ku kemi jetuar për 30 vjet. Do të mbyllim serverët dhe do të largohemi”, tha Sokolov.
Këtë muaj, Sokolov u mor në pyetje nga autoritetet ruse, të cilat kontrolluan edhe banesën e tij në kuadër të një çështjeje penale që lidhet me një prej kolegëve të tij, Oleg Roldugin, i arrestuar në prill.
Roldugin u ndalua dhe u akuzua për “akses të paligjshëm në informacionin e kompjuterizuar”, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi çështjen. Ai është deklaruar i pafajshëm, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.
Gazetari pret gjykimin nën masën e arrestit në shtëpi, e cila është zgjatur deri më 10 nëntor, raportoi “Novaya Gazeta”.
Rusia ka intensifikuar goditjen ndaj mediave të pavarura që prej nisjes së ofensivës ushtarake në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Pas fillimit të luftës, “Novaya Gazeta” reduktoi ndjeshëm aktivitetin e saj brenda Rusisë. Po atë vit, autoritetet i revokuan licencën e medias.
Ish-kryeredaktori i gazetës, Dmitry Muratov, fitoi së bashku Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021, për përpjekjet e tij në mbrojtje të lirisë së shprehjes në krye të kësaj gazete. (A2 Televizion)