Më shumë se një filmi të Disney, i ngjan një barsolete pa shumë kripë historia me “llambë Aladini” që vjen nga India, që në fakt është më se e vërtetë.
Një mjek nga shteti indian i Uttar Pradesh, që ndodhet në veri të vendit, ka denoncuar për mashtrim dy persona që po tentonin t’i shisnin një llambë sipas tyre me veti magjike, që ekzaktësisht si ajo e personazhit të “Një mijë e një netëve” kur fërkohej sillte në jetë një xhind të gatshëm për të përmbushur çdo dëshirë.
Llamba kishte një kosto jo të vogël, rreth 77 mijë euro, por mjeku i quajtur Laeek Khan i pagoi sepse sipas rrëfimit të tij, xhindi u shfaq me të vërtetë. Xhindi nuk mund të prekej, as llamba mund të merrej me vete në shtëpi sipas dy personave që e deklaronin veten si okultistë, dhe që me të njëjtën teknikë thuhet se kishin mashtruar edhe persona të tjerë.

Në të vërtetë, xhindi ishte njëri prej mashtruesve, i maskuar dhe i shoqëruar me efekte të ndryshme, dhe mjeku realizoi shpejt se e vetmja mrekulli në atë histori ishte se si kishte rënë pre e një mashtrimi aq foshnjarak, që kujton më shumë historinë e “dyzet hajdutëve” sesa Aladinin. (A2 Televizion)