Bankimi digjital “frikëson” vetëm të vjetrën

Nga A2 CNN
15 Korrik 2026, 16:27 | Blog

Bankimi digjital “frikëson” vetëm të vjetrën

Nga Lavdrim Lita

Në një pasdite të zakonshme, duke naviguar online në telefonin tim, hasa në një reklamë të Jet Bank. E klikova dhe shkarkova aplikacionin. I gjithë rrugëtimi nisi si një eksplorim i rastësishëm por u shndërrua shpejt në një një kureshtje për të parë se si duket një bankë online në arkitekturën dhe lirinë e saj, për të lëvizuar kapitale nga rehatia e shtëpisë.

Jet Bank është banka e parë 100% digjitale në Shqipëri, e cila operon pa degë fizike dhe ofron shërbime financiare përmes platformave inteligjente. E licencuar nga Banka e Shqipërisë, ajo synon të sjellë një model të ri bankimi, të mbështetur në teknologji moderne, automatizim dhe akses më të thjeshtë në produkte e shërbime financiare për qytetarët.

Si çdo risi që hyn në një treg tradicional, edhe Jet Bank ka shoqëruar interes të madh publik dhe diskutime rreth modelit të saj të biznesit dhe strukturës së pronësisë. Kjo është një dinamikë që shoqëron shpesh projektet inovative, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si ai financiar.

Procesi i licencimit të bankës është zhvilluar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore të Bankës së Shqipërisë, duke kaluar procedurat e parashikuara për autorizimin e një institucioni bankar. Në një sektor ku besimi është themeli i çdo marrëdhënieje me klientin, këto procese janë krijuar pikërisht për të garantuar transparencën, integritetin dhe përmbushjen e standardeve të nevojshme.

Në fakt, prania e kapitalit ndërkombëtar në sektorin bankar nuk është një fenomen i ri për Shqipërinë. Që në themelimin e Bankës së Shqipërisë në vitin 1925, krahas kapitalit shqiptar morën pjesë edhe investitorë italianë, belgë dhe jugosllavë. Edhe sot, sistemi bankar shqiptar dominohet nga banka me kapital ndërkombëtar, ndërsa lëvizja e lirë e kapitaleve përbën një nga parimet themelore të tregut evropian.

Në Evropë funksionojnë dhjetëra banka plotësisht digjitale që operojnë mbi modele të ngjashme, si Revolut, Monzo, Starling Bank dhe N26. Këto institucione kanë ndryshuar mënyrën se si miliona qytetarë kryejnë shërbimet financiare, duke zhvendosur bankën nga sporteli në telefonin celular. Jet Bank synon të sjellë një model të ngjashëm, të përshtatur për tregun shqiptar dhe, në perspektivë, për komunitetet shqiptare në rajon dhe më gjerë.

Bankat digjitale ndërtohen mbi standarde të larta të sigurisë teknologjike dhe mbikëqyrjes rregullatore. Edhe Jet Bank mbështetet në platforma dhe partnerë ndërkombëtarë si Backbase, Oracle Flexcube, Oracle Cloud Infrastructure, Microsoft Azure, Amazon Web Services, Cloudflare, Mastercard dhe Jumio, teknologji që përdoren gjerësisht nga institucione financiare në mbarë botën.

Jet Bank drejtohet nga Fatbardha Rino, një profesioniste me mbi dy dekada eksperiencë në sektorin bankar shqiptar. Eksperienca e saj në role drejtuese dhe në zhvillimin e proceseve të transformimit digjital përbën një nga elementët mbi të cilët mbështetet vizioni i bankës për të sjellë një mënyrë të re të ofrimit të shërbimeve financiare në Shqipëri.

Interesi i tregut është reflektuar edhe në numrin e lartë të qytetarëve që janë regjistruar në listën e pritjes për hapjen e llogarive, duke treguar se ekziston një kërkesë reale për modele më të thjeshta, më të shpejta dhe më të aksesueshme të bankimit.

Modeli i biznesit i Jet Bank është i orientuar drejt një eksperience plotësisht digjitale. Klientët do të kenë mundësi të aksesojnë llogari bankare, depozita, kredi, pagesa elektronike brenda dhe jashtë vendit, transferta dhe produkte të tjera financiare përmes aplikacionit, duke reduktuar nevojën për procedura fizike dhe duke promovuar gradualisht një ekonomi me më pak përdorim të parasë cash.

Jet Bank mori licencën nga Banka e Shqipërisë më 25 mars 2026, duke hyrë në historinë e sektorit bankar shqiptar si banka e parë plotësisht digjitale në vend. Aktualisht institucioni ndodhet në fazën e testimit paraprak, ku platforma po përdoret nga një grup i kufizuar përdoruesish për të testuar funksionalitetet dhe përvojën e klientit përpara hapjes së plotë për publikun.

Transformimi digjital nuk është më një koncept i së ardhmes, por një realitet që po ndryshon mënyrën se si funksionojnë ekonomitë moderne. Edhe sektori bankar shqiptar është pjesë e këtij transformimi. Në këtë kuptim, ardhja e një banke plotësisht digjitale nuk duhet parë thjesht si hyrja e një lojtari të ri në treg, por si një tregues se edhe Shqipëria po bëhet pjesë e një evolucioni që prej vitesh ka ndryshuar peizazhin financiar në Evropë.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos