
Nga Enver Robelli
Beteja e Parë e Kosovës u zhvillua më 28 qershor 1389 (ose 15 qershor sipas kalendarit julian). Nuk ishte betejë vendimtare, sipas historianëve seriozë. Prijësit serbë, pas humbjes së koalicionit ballkanik (ku kishte edhe shqiptarë, boshnjakë etj.), u bënë aleatë të Sulltanit. Vajza e Princit serb Llazar, Olivera, u bë gruaja e Sulltan Bajazitit I.
Beteja e Dytë e Kosovës, ajo e vitit 1448, ishte vendimtare. U zhvillua mes Hungarisë dhe Perandorisë Osmane. Prijësit serbë nuk morën pjesë. Aq sa mundën madje e sabotuan atë. Tek me fitoren e vitit 1448 Perandoria Osmane konsolidoi kufijtë dhe pushtimin në Ballkan. Skënderbeu nuk arriti të marrë pjesë në këtë betejë për shkak të disa ngatërresave që i dolën gjatë rrugës, sipas profesorit Oliver Jens Schmitt.
Beteja e Tretë zhvillohet sonte. Për fat të mirë vetëm në fushë të gjelbër dhe me top, jo me topuz, si dikur.
Ja përbërja e ekipit të Kosovës sipas një inspirimi nga historia e largët dhe e afërt.
Sulmi: Hasan Prishtina dhe Adem Jashari.
Mesfushorë: Agim Ramadani, Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha, Ramush Haradinaj.
Mbrojtja: Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Sali Çekaj, Azem Bejta.
Portier: Isa Boletini.
[Skënderbeu kësaj radhe do vonohet pak - prapë për shkak të ngatërresave gjatë udhës -, por në minutën e 82-të do të hyjë në fushëbetejë me kalë, por pa shpatë. Sepse kjo është lojë, jo luftë].
Trajner(ë): dy milionë shqiptarë të Kosovës dhe qindra-mijëra të tjerë shqiptarë nga Alaska në Japoni dhe nga Stockholmi në Afrikën e Jugut.
(A2 Televizion)