Një numër i rusëve me ndikim, të lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), si dhe përfituesit e luftës në Ukrainë dhe oligarkë kompanitë e të cilëve janë sanksionuar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, kanë marrë shtetësinë serbe jashtë procedurave standarde – me një vendim të veçantë të Qeverisë së Serbisë, në të cilin thuhet se kjo është “në interesin kombëtar” të Serbisë. Këtë skandal e kanë zbuluar platformat investigative Krik (Serbi) dhe “Tregimet e rëndësishme” (Rusi). Sipas tyre, në këtë mënyrë, plot 204 qytetarë rusë, burra dhe gra, janë bërë shtetas të Serbisë me një masë të veçantë dhe kanë arritur të anashkalojnë kufizimet në udhëtime që u janë vendosur nga Bashkimi Evropian. Qeveria serbe e justifikon dhënien e shtetësisë me interesa kombëtare.
Ndër personat që kanë përfituar është, për shembull, Ivan Sibirev, drejtues i kompanisë „R-stroj“ që ka zhvilluar projekte në qytete të shkatërruara nga lufta në Ukrainë, ka marrë shtetësinë serbe pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj kompanisë së tij. Gjithashtu, Viktor Shendrik, ish-anëtar i FSB-së dhe ish-shef i sigurisë për oligarkët rusë Arkadij dhe Boris Rotenberg, ka marrë shtetësinë serbe. Ai është njohur si sponsor i një divizioni neonazist të tifozëve të një klubi futbollistik, i cili lufton kundër Ukrainës.
Një tjetër përfitues është Dmitrij Sergejev, mik i ngushtë i djalit të gjeneralit të njohur të FSB-së, Nikolaj Patrushev. Sergejev ka bashkëpunuar me ish-ministrin serb Aleksandar Vulin në ndjekjen e opozitës ruse në Beograd dhe në formimin e një grupi pune për të luftuar „revolucionet me ngjyra“.
Këto raste tregojnë për një praktikë të dhënies së shtetësisë serbe për individë të lidhur me strukturat e sigurisë ruse dhe me aktivitete të diskutueshme në kontekstin e luftës në Ukrainë. Kjo ka ngjallur shqetësime për ndikimin e mundshëm të Rusisë në politikën dhe sigurinë e Serbisë, si dhe për pasojat që mund të ketë kjo në procesin e integrimit evropian të vendit, shkruajnë Krik (Serbi) dhe “Tregimet e rëndësishme” (Rusi).
E.R. (A2 Televizion)