
Nga Enver Robelli
Po e shoh që po citohet gjerë e gjatë një “analizë” që e paska botuar gazeta gjermane “Berliner Zeitung” në lidhje me zhvillimet në Kosovë. Natyrisht mund të citohet çdo medie e huaj, fundja liria e fjalës vlen për të gjithë, por do të ishte e udhës që në rastin e “Berliner Zeitung” të theksohet se çfarë gazete është kjo:
1. Në Gjermani shihet si gazetë proruse.
2. “Berliner Zeitung” ka qenë organ zyrtar i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore.
3. Gjatë luftës së NATO-s për çlirimin e Kosovës ka qenë gazeta më kritike ndaj intervenimit. Po ashtu në lidhje me masakrën e Reçakut i ka prirë frontit për minimalizimin e krimit (bashkë me disa gazeta franceze) dhe tërthorazi arsyetimin e krimeve të forcave të Sllobodan Millosheviqit.
4. Kur nacionalistët zviceranë, të gjithë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, e ftuan para një viti autokratin serb Aleksandar Vuçiq në hotelin e famshëm Dolder në Zürich për të folur para një publiku kryesisht antiperëndimor, i pranishëm ishte edhe Holger Friedrich, botues i “Berliner Zeitung”. Friedrich shihet edhe në fotografi me Vuçiqin gjatë bisedave me palën zvicerane. Krijohet përshtypja se ai është anëtar i delegacionit serb. Në foto ai shihet i pari nga e djathta (tullac me mjekër).
5. Nga mediat trandicionalisht properëndimore gjermane Friedrich quhet botues i “padenjë” dhe konsiderohet rrezik për demokracinë.
6. “Berliner Zeitung” shpesh shërben si platformë e zëdhënësve proputinistë në Gjermani. Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, i cili është argat i paguar nga firmat ruse të naftës e gazit, e akuzoi NATO-n bash në këtë gazetë se e ka poshtëruar Rusinë dhe pretendoi se NATO bart një pjesë të fajit që për Europën dhe Ukrainën nuk ka plan paqeje.
7. Botuesi Holger Friedrich është adhurues i flaktë i politikanes Sahra Wagenknecht, e cila nga mediat në Gjermani përshkruhet si staliniste. Wagenknecht ka kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ka kundërshtuar deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ka kundërshtuar njohjen e Kosovës nga Gjermania. Propaganda ruse e adhuron atë si “ylli i ri i politikës gjermane”.
8. Sipas një shkrimi hulumues të gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Friedrich qysh në fillim të mandatit të tij (si botues i “Berliner Zeitung”, 2019), shkaktoi një skandal. Së bashku me gruan e tij, ai botoi një editorial, në të cilin, ndër të tjera, ankohej se Perëndimi në vitin 2001 nuk e kishte pranuar “dorën e shtrirë” të Vlladimir Putinit. Menjëherë pas kësaj, u bë e ditur se Friedrich, në kohën e Gjermanisë lindore komuniste, kishte spiunuar kolegët si bashkëpunëtor jozyrtar i Sigurimit të Shtetit (Staatssicherheit, Stasi). Një raport i pavarur e shfajësoi atë pjesërisht, sepse, i shantazhuar nga Stasi, ai raportoi “kryesisht gjëra të njohura botërisht” dhe veprimtaria e tij thuhet se ka pasur pasoja vetëm në një rast.
9. Friedrich - sipas “Neue Zürcher Zeitung” - ishte nënshkrues i parë i Manifestit të Paqes të Sahra Wagenknecht dhe (feministes) Alice Schwarzer, në të cilin Putini dhe Selenski vihen në të njëjtin nivel, sikur fajtori i qartë të mos ekzistonte.
10. Më 9 maj 2023, një vit pas agresionit të madh rus kundër Ukrainës, Friedrich mori pjesë në një pritje të Ambasadës Ruse në Berlin me rastin e përvjetorit të fitores në “Luftën e Madhe Patriotike”.11. Gazeta konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung” komentoi: “Miqtë e Putinit bashkë”. Në takimin në Ambasadën Ruse në Berlin ishin edhe shefi i partisë së djathtë radikale AfD, Tino Chrupalla, ish-kancelari Gerhard Schröder dhe Egon Krenz, lideri i fundit komunist gjermanolindor, i cili ende gjen fjalë mirëkuptimi për diktaturën.
12. Dje “Berliner Zeitung” botoi një “analizë”, motoja e së cilës ishte kjo: “Donald Trump ndalon dërgesat e raketave Tomahawk për Ukrainën. Planet e BE-së për përshkallëzim kërcënojnë paqen botërore. Autori ynë analizon situatën dhe tregon një strategji daljeje”. Nuk është Vlladimir Putini ai që po eskalon, por BE, sipas “Berliner Zeitung”. Edhe kështu bëhet gazetari. Në interes të Rusisë. Të gjitha këto duhet pasur parasysh kur përhapen shkrime të “Berliner Zeitung” për Kosovën. Dhe për këtë nuk duhet shumë mund hulumtues. Informatat janë publike. Gjenden për 10 minuta në internet. (A2 Televizion)
