Ministri i jashtëm polak Radosllav Sikorski nuk është vetëm diplomat - është edhe polemist. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai foli hapur: Rusia nuk mund të rikthejë një perandori që ka vdekur. Dhe u kërcënua me rrëzimin e avionëve rusë po vazhduan provokimet.
Nga Enver Robelli
Radosllav Sikorski është i njohur për gjuhën e tij të ashpër, shpeshherë jo aq diplomatike. Kjo i ka sjellë edhe dëme në të kaluarën: nuk është zgjedhur as përfaqësues i lartë i BE-së për politikën e jashtme, as sekretar i përgjithshëm i NATO-s, edhe pse emri i tij shpesh ishte në diskutim si kandidat.
Me paraqitjen e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në javën që shkoi, ministri i jashtëm polak tërhoqi sërish shumë vëmendje - si te ekspertët e sigurisë, ashtu edhe në rrjetet sociale, ku pjesë të fjalimit të tij u bënë virale. Organi më i lartë i organizatës botërore u mblodh me kërkesë të Estonisë për të diskutuar mbi provokimet ruse me dronë dhe avionë luftarakë në hapësirën ajrore të NATO-s.
Sikorski i konsideron incidentet në Estoni dhe Poloni si një përshkallëzim të luftës hibride që Rusia po e zhvillon prej vitesh kundër Perëndimit. Kjo përfshin, sipas tij, vrasje të politikanëve, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe të arratisurve, deri te zjarrvëniet - mes tjerash në Poloni, Britaninë e Madhe dhe Lituani - si edhe spiunazhin dhe fushatat dezinformuese.
«Këto provokime nuk duhet të tolerohen», tha Sikorski. Më pas iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësuesve rusë në sallë: «Ne e dimë që ju nuk e respektoni të drejtën ndërkombëtare dhe nuk jeni në gjendje të bashkëjetoni në paqe me fqinjët tuaj. Nacionalizmi juaj delirant përmban një lakmi për sundim që nuk do të shuhet derisa ta kuptoni se epoka e perandorive ka mbaruar dhe se perandoria juaj nuk mund të rindërtohet më. Çdo sulm me dron i heronjve të forcave të armatosura ukrainase, Zoti i bekoftë ata, e sjell më afër atë ditë.»
Sikorski deklaroi se «operacioni special» i Rusisë në dhjetë vite nuk ka arritur të pushtojë as rajonin ukrainas Donbas. Njëkohësisht ai paralajmëroi se potenciali i Kremlinit për gabime kriminale dhe katastrofike ende ekziston.
Siç pritej, zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitri Polanski, i quajti akuzat gënjeshtra, «histeri fobike» dhe «paranojë». Megjithatë, për delegacionet europiane të pranishme në Këshillin e Sigurimit ishte më i rëndësishëm një tjetër mesazh: përfaqësuesi amerikan Michael Waltz theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të mbrojnë «çdo centimetër të territorit të NATO-s».
Kjo qartësi ishte në kontrast të dukshëm me deklaratat e mjegullta të Donald Trumpit mbi provokimet ruse mbi Detin Baltik. Megjithatë, për triumfalizëm nuk ka arsye: në fund vendos shefi i Shtëpisë së Bardhë nëse do ta zbatojë nenin 5 të traktatit të NATO-s - premtimin e ndihmës reciproke të 32 anëtarëve.
Në përfundim të fjalimit të tij, Sikorski drejtoi një paralajmërim të fortë ndaj Rusisë: «Nëse një raketë tjetër apo një avion tjetër hyn në hapësirën tonë pa leje, me qëllim ose aksidentalisht, dhe rrëzohet duke rënë në territor të NATO-s, mos ejani këtu të qaheni për këtë. Ju u paralajmëruat.»
Sikorski (62) është një diplomat me përvojë. Qysh nga viti 2007 deri në vitin 2014 ai udhëhoqi Ministrinë e Jashtme të Polonisë; që prej vitit 2023 është sërish në krye të saj. Që si gjimnazist, në fillim të viteve 1980, ai u angazhua politikisht, fillimisht në lëvizjen antikomuniste Solidarnoshç. Pas shpalljes së gjendjes së luftës në Poloni nga gjenerali Vojçeh Jaruzelski, Sikorski u arratis në Britani të Madhe, ku mori azil dhe studioi shkencat politike dhe filozofinë në Oxford. Më vonë raportoi si gazetar për mediat britanike mbi luftërat në Jugosllavi dhe Afganistan.
Pas rënies së komunizmit, Sikorski u kthye në Varshavë. Fillimisht u afrua me partitë konservatore; më vonë, si i pavarur, mori pjesë në një qeveri të drejtuar nga partia e djathtë PiS e vëllezërve Jarosllav dhe Leh Kaçinski, ku shërbeu si ministër i mbrojtjes. Pas prishjes së marrëdhënieve me PiS, ai u bë ministër i jashtëm në qeverinë e kryeministrit Donald Tusk.
Në vitin 2014, Sikorski drejtoi një mision të BE-së që i dha fund gjakderdhjes në sheshin Maidan të Kievit. Revista amerikane «Foreign Policy» e përfshiu atë në mesin e 100 intelektualëve politikë më me ndikim në botë – «sepse ai thotë të vërtetën, edhe kur nuk është diplomatike».
Sikorski është i martuar me historikën e njohur amerikane Anne Applebaum dhe konsiderohet si një nga diplomatët me lidhje më të ngushta si në Bruksel, ashtu edhe në Washington.
Në fillim të këtij viti ai u përplas publikisht me Elon Musk, i cili kërcënoi se do t’i ndërpriste ushtrisë ukrainase qasjen në internet. Sikorski ia kujtoi atij se Polonia mbulonte shpenzimet për rrjetin satelitor Starlink si pjesë e ndihmës për Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Musk reagoi me tonin e tij përçmues dhe shkroi në X: «Qetësohu, burrë i vogël» – por më vonë u tërhoq.
Sikorski nuk është vetëm një polemist i talentuar, por ka bërë emër edhe si fotograf lufte. Fotografia e tij më e njohur tregon trupin e një nëne afgane me fëmijët e saj - në vitin 1988 ai mori për të Çmimin «World Press Photo». (A2 Televizion)