Një shtatore në Zyrih dhe shumë kujtime

Nga A2 CNN
14 Shtator 2025, 16:57 | Blog

Një shtatore në Zyrih dhe shumë kujtime

Kjo shtatore gjendet në sheshin Werdplatz në Zürich, përballë sindikatës Unia, e cila përfaqëson interesat e të punësuarve në ndërtimtari, zejtari, industri etj. Që nga vitet 1960-të kjo përmendore duhet të ketë qenë pamja e parë me të cilën “përballeshin” punëtorët shqiptarë nga Kosova e viset e tjera shqiptare kur vinin në Zürich. Ata kishin një adresë ku drejtoheshin: hynin në selinë e sindikatës karshi Werdplatzit për të zgjidhur hallet e tyre që ndërlidheshin me burokracinë zvicerane dhe plotësimin e kushteve për të fituar lejeqëndrimin në Zvicër, duke lënë pas statusin e pasigurt të punëtorit sezonal.

Në këtë shesh ata afroheshin me hapa të pasigurt dhe me shpresë se do ta takonin Marjan Grudenin, sekretarin e sindikatës me origjinë nga Sllovenia, me të cilin mund të flisnin në serbokroatisht. Vite më vonë do të bëhej i mundshëm edhe komunikimi në gjuhën shqipe - me sindikalistë shqiptarë të punësuar në Unia. Statuja në sheshin Werdplatz u përkujtonte punëtorëve se për çka kishin ardhur në Zvicër: të punonin dhe të mos flisnin (siç s’flet statuja. Kjo ishte pritja që kishin shumë punëdhënës zviceranë nga punëtorët që vinin në Zvicër).

Shtatorja monumentale u vendos në vitin 1962. Vepra e skulptorit Werner Friedrich Kunz (1896-1981) paraqet një burrë me trup të zhveshur e muskuloz, i cili me një gjest heroik çlirohet nga zinxhirët e tij. Një simbol i emancipimit, integrimit, vetëbesimit dhe çlirimit.

Ngjitur me selinë e sindikatës gjendej restoranti Cooperativo, një vendtakim i rëndësishëm i klasës punëtore, i themeluar nga socialdemokratët italianë më 1905 në një vend tjetër në Zürich. Cooperativo ishte shtëpia e dytë e antifashistëve italianë që jetonin e punonin në Zürich. Ndonjëherë aty hynin edhe punëtorët shqiptarë sa për të pirë një kafe, për të ngrënë rrallëkush mund të ketë pasur para.

Duhet të ketë qenë një botë e pazakonshme për ta - bota në Cooperativo. Ndonjëri edhe mund të jetë trembur. Në mur qëndronte i varur portreti i Karl Marxit dhe një pikturë e çuditshme: një burrë me kravatë, kostum e syze dhe një burrë me dy gra lakuriq. Burri me kravatë ishte James Schwarzenbach, një politikan agresiv kundër të huajve. Në vitet 60-të dhe 70-të ai lansoi disa iniciativa për dëbimin e mijëra të huajve nga Zvicra. Burri lakuriq në pikturë ishte një italian, i cili ua kishte marrë mendjen (dhe jo vetëm mendjen) dy grave zvicerane. Atëbotë ishte e përhapur klisheja se italianët llafazanë nuk vinin në Zvicër vetëm për të punuar, por edhe për t’ua marrë vajzat më të bukura familjeve zvicerane. Piktori është tallur me këtë klishe.

Portreti i Marxit synonte t’i politizonte mysafirët e lokalit, piktura me Schwarzenbachun ua përkujonte atyre me ironi se në rrugën e barazisë ka shumë pengesa.

Tregohet një anekdotë rreth portretit të Marxit në restorantin Cooperativo. Shkrimtari Bertolt Brecht e kishte vënë re gjatë një vizite dhe kishte pyetur stafin se pse mungonin Lenini dhe Stalini. “Nuk durojmë diktatorë”, ishte përgjigja që mori. “As në mur.”

Pranë portretit të Marxit në Cooperativo qëndronte fotografia e Angelica Balabanoff, një publiciste ruse, e cila një kohë kishte një lidhje dashurie me Benito Mussolinin. U ndanë pas një përplasjeje të ashpër me fjalë. Mussolini u bë diktator, e futi Italinë në aventura lufte, kapitulloi dhe në fund të prillit 1945 u var nga partizanët në një pikë karburanti në kufi me Zvicrën. Balabanoff u kthye në Rusi, themeloi një organizatë të grave, pastaj emigroi sërish dhe bëri karrierë si politikane e majtë në Itali.

Cooperativo ka qenë restorant me histori. Para se më 1917 të nisej për në Rusi për t’i prirë revolucionit të tetorit, Lenini thuhet se hëngri drekën e fundit në Coopi, siç quhej shkurt restoranti. Katër vjet më parë, edhe Benito Mussolini kishte ngrënë në Coopi. Atëbotë ai e quante veten socialist. Si kryeredaktor i gazetës “L’Avanti” ai mbajti një fjalim në Ditën e Një Majit, festës së punëtorëve. Historia merr një kthesë ironike më vonë: kur Mussolini prej socialistit të rrejshëm u bë fashist i vërtetë, ai e urdhëroi shërbimin e tij sekret të spiunonte antifashistët italianë që takoheshin në Cooperativo. Shumë prej tyre u raportuan te autoritetet policore zvicerane dhe kësisoj u ballafaquan me probleme.

Që nga fundi i viteve 1960-të Cooperativo u bë qendër e takimeve të socialdemokratëve të Zürichut. Këtu bëheshin bashkë socialdemokratë realistë dhe aventurierë e ëndërrimtarë që dëshironin të ndërtonin një botë më të drejtë. Shpesh ëndrra përfundonte pas zbrazjes së disa shisheve me verë dhe nën shikimin dashamirës të kamerierit hungarez, i cili kishte ikur nga Budapesti më 1956 pas shtypjes nga ushtria sovjetike të kryengritjes popullore hungareze.

Në vitin 2007 Cooperativo ndërroi lokacionin. Më 2023 u mbyll - pas një historie të bujshme 118-vjeçare. Po më 1905 në Zürich u themelua Volkshaus, shtëpia e popullit, si qendër që do shërbente për takime, edukim dhe argëtim të banorëve të Zürichut, sidomos të atyre që jetonin në lagjet e punëtorëve. Volkshaus gjendet shumë afër shtatores së punëtorit në sheshin Werdplatz. Edhe në Volkshaus ka mbajtur fjalim Lenini (më 22 janar 1917). Një pllakë e vendosur aty përkujton liderin e revolucionit sovjetik, i cili pati pasoja të mëdha në shumë pjesë të botës. Para kësaj pllake kanë kaluar në vitet 1980-të edhe shumë aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Atëherë e quanin veten të majtë, ishin thatanikë dhe mbanin fjalime të zjarrta për lirinë e Kosovës. Shumica prej tyre fjalimet i shndërruan edhe në vepra. Sot duken si kapitalistë dhe kanë hequr dorë nga iluzioni i revolucionit botëror. Një hap jo vetëm për të mirën e tyre.
E.R. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos