Nga Enver Robelli
Një grup shkencëtarësh në Zvicër nën drejtimin e profesorëve Omer Xhemali dhe Robert Katzschmann kanë krijuar një arnim kardiak të ndërtuar nga indi biologjik, i cili mund të ndihmojë në rigjenerimin e zemrës së dëmtuar pas një ataku kardiak.
Bëhet fjalë për një arnim 3D të zemrës, i cili në të ardhmen mund të përdoret për të forcuar zonat e dëmtuara të këtij organi jetik dhe për t’i rigjeneruar ato gradualisht, njofton agjencia zvicerane e lajmeve SDA & Keystone.
Sipas një njoftimi të Universitetit të Zürichut, avantazhet krahasuar me metodën tradicionale – ku përdoren inde nga qeset e zemrës së lopës – janë të mëdha. Ky arnim i ri, i quajtur RCPatch (Reinforced Cardiac Patch), kombinon një rrjet mbrojtës, një shtresë strukturore mbështetëse dhe një hidrogel me qeliza të zemrës, duke i mundësuar atij të përshtatet me indin kardiak.
Ekipi ndërdisiplinor i ETH Cyrih dhe Spitalit Universitar të Cyrihut, nën drejtimin e profesorëve Omer Xhemali, i cili është me origjinë nga Tetova, dhe Robert Katzschmann, ka zhvilluar këtë arnim inovativ, i cili së fundmi është prezantuar në revistën shkencore Advanced Materials.
Pas një ataku në zemër, rrjedhja e gjakut ndërpritet dhe mungesa e oksigjenit shkakton dëmtime serioze në muskujt e zemrës. Në raste të rënda, kjo mund të çojë deri në këputjen e murit të zemrës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Aktualisht, defektet e tilla riparohen me arnime të përftuara nga indet e lopës, të cilat megjithëse janë të forta dhe lehtësisht të implantueshme, mbeten përgjithmonë si trup i huaj në organizëm dhe mund të shkaktojnë komplikacione si tromboza apo inflamacion. Pra, arnimet aktuale, të njohura si Bovine Pericardial Patches (BPPs), kanë kufizime të mëdha.
“Arnimet tradicionale të zemrës nuk integrohen me indin kardiak dhe mbeten përgjithmonë si trup i huaj. Ne deshëm ta zgjidhim këtë problem me arnimet tona, të cilat bashkohen natyrshëm me indin ekzistues të zemrës”, shpjegoi Lewis Jones, autori kryesor i studimit.
Zbulimi RCPatch i profesorëve Omer Xhemali dhe Robert Katzschmann ka potencialin të integrohet plotësisht me indin rrethues dhe të bashkohet me qelizat e muskujve të zemrës, pa lënë pas asnjë trup të huaj. Eksperimentet e para në kafshë kanë treguar se arnimi është i qëndrueshëm ndaj presionit të lartë të zemrës, parandalon gjakderdhjet dhe përmirëson funksionin kardiak.
Shkencëtarët besojnë se ky zbulim ofron një bazë premtuese për krijimin e një arnimi kardiak të implantueshëm tek njerëzit. Hapat e ardhshëm përfshijnë zhvillimin e mëtejshëm të materialit dhe testimin e tij në studime afatgjata me kafshë. (A2 Televizion)