Zbulimi i ri që të le pa frymë dhe të bën ta harrosh Toscanën

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 20:13 | Blog

Zbulimi i ri që të le pa frymë dhe të bën ta harrosh

Nga Enver Robelli

Andelfingeni është një fshat tipik zviceran. Kur them tipik, nënkuptoj: i bukur. Shumë i bukur! Këtu është ruajtur tradita, gjë që vërehet në arkitekturën e zonës - dominojnë shtëpitë e vjetra, të cilat janë habitshëm të mirëmbajtura. Por në Andelfingen ka depërtuar me kujdes e vëmendje edhe moderniteti.

Lumi Thur i shton hijeshinë fshatit, i cili mund të quhet edhe qytezë. Ura prej druri mbi këtë lumë dëshmon për historinë e gjatë të banimit të Andelfingenit si një pikë kalimi, pikë doganore dhe si qendër rajonale.

Kur nisesh pak pas orës 09:00 nga Andelfingeni drejt Eglisaut, një tjetër fshat i hijshëm, destinacioni duket i largët. Ndonëse terreni është i rrafshët, duhen përshkuar mbi 20 kilometra në këmbë. Megjithatë, kjo rrugë nuk është sfidë, por kënaqësi. Natyra të kujton vende-vende Toscanën e famshme të Italisë: ara të punuara me kujdes, livadhe me një gjelbërim shpërthyes, rrugë fushore që duken të pafundme dhe lisa të gjatë që ngjasojnë me plepat (ndoshta edhe janë të tillë).

Më tej, lumi Thur bashkohet me lumin e Rajnës (Rhein), i cili vjen nga Ujëvara e Rajnës - ujëvara më e fuqishme në Europë dhe një atraksion i madh turistik.

Tani ecja vazhdon përgjatë Rajnës deri në Eglisau, i cili shtrihet mes vreshtave dhe lumit. Ndoshta ky fshat është edhe më i bukur se Andelfingeni. Muzeu i Eglisaut gjendet në një ndërtesë me vlerë të lartë historike. Në këtë shtëpi vreshtarësh të vitit 1670, janë ekspozuar në tre kate dëshmi të historisë së qytezës, administrimit, lundrimit dhe peshkimit.

Në një dhomë të veçantë prezantohet historia e ndërtimit: modele të ndryshme, piktura, gravura, plane dhe fotografi dokumentojnë qartë zhvillimin arkitekturor. Guvernatori i fundit i Eglisaut, Salomon Landolt, përfaqësohet përmes disa guasheve, akuareleve dhe një pikture në vaj. Në katin nën çati, peshkimi i salmonit, dikur një veprimtari mjaft e rëndësishme, përbën pikën qendrore të koleksionit. Metodat e ndryshme të peshkimit paraqiten përmes pajisjeve, modeleve dhe një videoje. (Rreth 20 kilometra, 5 orë ecje). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos