Më një ceremoni më të thjeshtë se zakonisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, Hiroshima përkujtoi një prej kapitujve më të dhimbshëm në historinë e saj dhe të globit, 75 vjetorin e hedhjes së bombës së parë bërthamore në botë.
Përkujtimorja e 75-vjetorit të Hiroshimës Në 08.15 të 6 gushtit të vitit 1945, SHBA lëshon një bombë bërthamore në Hiroshima 140 mijë banorë të qytetit japonez pothuajse zhduken në pak sekonda Skeleti i një godine të mbijetuar, tashmë simbol i qytetit Hiroshima pas sulmit Përkujtimorja sot
Zhurma e kambanave çeli siparin e aktiviteteve përkujtimore, ndërsa kryeministri Shinzo Abe dhe kryebashkiaku i Hiroshimës ju bashkuan të mbijetuarave dhe familjarëve të viktimave në Parkun e Paqes. Një minutë heshtje u mbajt në orën 8 e 15, ora e saktë kur bomba u hodh në qytet.
“Në 6 gusht të vitit 1945 një bombë e vetme bërthamore e shkatërroi qytetin tonë. Zërat në atë kohë thanë se asgjë nuk do të rritej më këtu për 75 vite. Por Hiroshima u ngrit në këmbë dhe u kthye në simbol të paqes”, deklaroi Kazumi Matsui, kryebashkiaku i qytetit.
Në një videomesazh Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara Antonio Guterres u kërkoi të gjitha vendeve të ripërtërijnë përpjekjet për eliminimin e armëve të tilla.
“Ndasitë, mosbesimi dhe mungesa e dialogut kërcënojnë ta rikthejnë botën në një garë bërthamore strategjike. E vetmja mënyrë për të reduktuar rrezikun nuklear është eliminimi i këtyre armëve”, thuhet në mesazh.
Në 6 gusht të vitit 1945, një bombardues amerikan hodhi një bombë me uranium, mbi qytetin e Hiroshimës, pasi Tokio refuzoi ultimatumin për paqe. Rreth 140 mijë prej 350 mijë banorëve të Hiroshimës thuhet se humbën jetën në sulm. 3 ditë më vonë një bombë e dytë u hodh në Nagasaki, duke vrarë edhe 74 mijë qytetarë të tjerë. Japonia u dorëzua dhe Lufta e Dytë Botërore mbërriti në fund. (A2 Televizion)