Shpërthimi në Liban, vijojnë kërkimet për të mbijetuar, akuza qeverisë

Nga A2 CNN
6 Gusht 2020, 11:31 | Bota

Pas dhimbjes dhe shkatërrimit që solli shpërthimi katastrofik i së martës ne Bejrut, mbizotëron zemërimi. Qytetarët mendojnë se neglizhenca e qeverisë çoi në tragjedinë e ndodhur në port, dhe e akuzon atë për korrupsion dhe keqmenaxhim.

Presidenti Michel Aoun tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga 2750 ton nitrat amoni, i depozituar në mënyrë të pasigurt në një magazinë. Të paktën 135 vetë mbetën të vrarë në shpërthim dhe mbi 4 mijë të tjerë u plagosën.

Në vend ka nisur gjendja 2 javore e emergjencës. “Ajo që ndodhi na ka tronditur plotësisht. Në vendin tonë nuk ka fare siguri; je duke u kthyer nga puna dhe gjithçka mund të shkatërrohet në një sekonde, udhëhiqemi nga njerëz të paaftë”, thotë Stephanie Neiameh, një vajzë e re libaneze.  

Të mërkurën qeveria njoftoi se një numër zyrtarësh në port ishin vendosur në arrest shtëpie, ndërsa zhvilloheshin hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes tha se përgjegjësit do të përballeshin me ndëshkimin maksimal, ndërsa presidenti Aoun premtoi një hetim të drejtë e transparent.

"Në vendin tonë nuk ka fare siguri; je duke u kthyer nga puna dhe gjithçka mund të shkatërrohet në një sekond, udhëhiqemi nga njerëz të paaftë", thotë Stephanie

 “Jemi të vendosur për të hetuar dhe zbuluar sa më shpejt atë që ndodhi, e për të ndëshkuar personat përgjegjës”, deklaroi presidenti i Vendit, Michel Aoun.

Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë kërkuar hetim të pavarur për ngjarjen, por sipas organizatave ka shqetësime mbi aftësinë e sistemit gjyqësor libanez për të kryer një hetim të besueshëm. 

Siç mësohet nitrati i amonit, një kimikat shumë i rrezikshëm i përdorur si pleh dhe eksploziv, kishte qenë në magazinën pranë portit të Beirutit që prej 2013-tës. Shefi i portit dhe ai i doganës, thanë se u kishin shkruar disa herë autoriteteve të drejtësisë, për zhvendosjen apo shitjen e kimikatit, për të garantuar sigurinë e portit.

https://a2news.com/2020/08/06/bejruti-para-dhe-pas-shperthimit/?fbclid=IwAR1ZK2PZqYgsjOcymnuNtEpKIp7IOZUQh-uOwNcCVPk9Z_3ht1wtz_qxzwE

 Megjithatë menaxheri i portit pretendon se nuk e dinin se ai mund të ishte kaq i rrezikshëm.  Forcat e sigurisë kanë rrezuar një zonë të gjerë, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Dhjetëra persona vijojnë të jenë të zhdukur. Autoritetet shëndetësore ngrenë alarmin për gjendjen e mjerueshme në spitale, ku mungojnë shtretërit dhe pajisjet për trajtimin e pacientëve në gjendje kritike. Një numër shtetesh kanë ofruar mbështetje humanitare, përfshirë Franca, Rusia, Tunizia, Irani, Turqia  dhe Katari.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos