
Gëzon formë të shkëlqyer, është një hap larg gjysmëfinaleve të Champions, megjithatë Kilian Mbappe nuk është i lumtur te Paris Saint Germain.
Ndërsa sezonit po i vjen fundi, klubi parisien është në ankth për të ardhmen e yllit të tyre, rrugët me të cilin mund të ndahen prej kësaj vere. Bisedimet më të fundit për të bindur agjentin dhe vetë futbollistin të qëndrojë në Paris kanë dështuar, me Mbappe që i ka komunikuar klubit se kërkon një sfidë të re.
Sulmuesi francez dëshiron Realin e Madridit për të bërë hapin e madh të karrierës dhe kjo është arsyeja për tentativat e drejtorit sportiv, Leonardo prej një viti, për një zgjatje të kontratës, nuk arrijnë të finalizohen.
Gjithsesi, ka një pengesë edhe nëse Mbappe do të vendosë zyrtarisht largimin nga Paris Saint Germain. Real monitoron prej kohësh edhe Erlin Haaland nga Dortmund dhe gjatë merkatos verore mund të ketë një përplasje mes dy yjeve më premtuese të momentit.
Ekziston edhe mundësia që Real t’i afrojë të dy lojtarët, por risku financiar do të ishte jashtëzakonisht i madh. Largimi i Mbappe nga Parisi mund të jetë katastrofik nëse shoqërohet edhe me atë të Neymar gjatë kësaj vere, me brazilianin që ka vite që dëshiron me çdo kusht një rikthim te Barcelona. (A2 Televizion)