
Paratë e garantuara nuk ndihmojnë në nxitjen e punësimit. Një studim i kryer në Finlandë, ka publikuar të dhënat paraprake, që hedhin poshtë mitin e të ardhurave bazë. Një grupi prej 2 mijë pjesëmarrësish të papunë iu garantua një shumë mujore të ardhurash prej 560 eurosh. Këto para duhej të reduktonin stresin dhe të ndihmonin individët në gjetjen e një pune të përshtatshme, apo të vetëpunësohen e të krijojnë sipërmarrjen e tyre.
Por sipas të dhënave të eksperimentit, këto të ardhura nuk bënë asnjë diferencë. Ditët e punës në raport me një grup tjetër pa të ardhura bazë ishin thuajse identike, ndërsa të ardhurat nga vetëpunësimi ishin madje më të ulëta.
Pavarësisht rezultateve paraprake të dobëta, Finlanda nuk është ende gati të heqë dorë nga ideja. Eksperimenti është në vitin e tij të dytë dhe rezultatet përfundimtare që do të publikohen në 2020-ën, do të vendosin fatin e këtij nocioni. (A2 Televizion)